Libri i Syrja bej Vlorës publikohet për herë të parë

156
0

Një vështrim historik mbi librin “Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane” të Syrja bej Vlorës

nga Dr. Hasan Bello, Instituti i Historisë, QSA

Libri i Syrja bej Vlorës “Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane” është një përpjekje modeste për të hedhur dritë mbi një numër të konsiderueshëm personalitetesh, të cilët kanë jetuar, vepruar dhe kontribuar në një shtet perandorak, pjesë e të cilit ishin edhe shqiptarët për pesë shekuj.
Në këtë libër jepen të dhëna me karakter të përgjithshëm, të cilat për hir të së vërtetës, sot mund të quhen të tejkaluara për ata studiues, që do të merren me hulumtimin e thelluar të periudhës osmane. Ndërsa për lexuesit e pasionuar të historisë, ato përbëjnë një kontribut të vyer, me informacion pak ose aspak të njohur. Autori shpalos të dhëna me interes për emra të njohur dhe të panjohur nga historiografia shqiptare. Ndoshta për faktin se për këto personalitete, në vend të arsyes, ka mbizotëruar paragjykimi.
Ky libër në dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë. Ai ka 144 faqe në osmanisht dhe 52 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve turke në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi 26 qershor 1963. Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.
Libra të ngjashëm me këtë libër të Syrja bej Vlorës mbi jetën dhe biografinë e personaliteteve osmane kanë shkruar edhe autorë të tjerë. Madje, ne jemi të mendimit se me disa prej tyre duhet të jetë konsultuar edhe Syrja bej Vlora. Si burim relevant, përveç librave, këtyre autorëve i ka ardhur në ndihmë edhe një drejtori e posaçme e krijuar në Stamboll. Kështu, me zgjerimin dhe modernizimin e administratës osmane, lindi nevoja për krijimin e një zyre, e cila do të merrej me jetëshkrimin nëpunësve të saj. Për këtë, në vitin 1879 u themelua një komision i veçantë (Sicill-i Ahval Komisyonu) i cili deri në vitin 1909[7], pra relativisht brenda një kohe të shkurtër, arriti të grumbullojë informacion për 92.000 nëpunës, në gjithsej 201 defterë. Të dhënat kanë karakter të përgjithshëm, mbi vendlindjen, nivelin arsimor, gjuhët e huaja që zotëronte personi, funksionet, gradat, medaljet dhe titujt e fituar gjatë karrierës administrative ose ushtarake.[8] Shumica e nëpunësve, fillimisht e ka shkruar personalisht biografinë e vet dhe më pas ia ka paraqitur atë komisionit, anëtarët e të cilit e kanë plotësuar duke ndjekur ecurinë.
Një kontribut të madh për këtë nismë ka dhënë historiani dhe juristi i njohur i Perandorisë Osmane Ahmed Xhevdet Pasha, sekretar dhe përkthyes i të cilit ka qenë, për një kohë të shkurtër, edhe rilindasi ynë i shquar Pashko Vasa. Prandaj, dosja e parë me të dhënat personale mban pikërisht emrin e Ahmed Xhevdet Pashës.
Nga hulumtimet paraprake në arkivin e Perandorisë Osmane na rezulton se ekzistojnë afërsisht rreth 1500 autobiografi të personaliteteve me origjinë shqiptare. Kjo, sigurisht vetëm për periudhën midis viteve 1879-1909.
Gjithsesi libri i Syrja bej Vlorës, i cili mund të jetë shkruar në vitet 20-30-të të shek. XX-të, përbën një kontribut të çmuar historiografik për kohën.

Libri është botuar i plotë për herë të parë në revistën shkencore “Zani i Naltë” në numrat 20-21 (2017).

Nga: Genti Kruja

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here