Lladrovci: Sot më shumë se kurrë ndihemi krenar me këto data historike

Mos i humb

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur sot seancë solemne në Kuvendin e Drenasit, dedikuar Festave të Nëntorit.

Në fjalimin e tij të rastit, i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se sot më shumë se kurrë ndihet krenar me këto data historike, data të memories kombëtare, që sipas tij janë mjaft të të denja për tu treguar pasardhësve, se nga janë simbolet e qenësisë nacionale dhe shtetërore.

Fjalimi i plotë i Lladrovcit:

”Sot, jemi mbledhur në këtë seancë solemne, për të shprehur respektin tonë të thellë, për një ditë që për popullin e kombit tonë, paraqet ditën më të shenjtë, ditën që sublimon të arriturat tona, për qenësinë tonë kombëtare dhe qenësinë shtetërore.

Nëntori i parë i shënuar në historinë tonë ishte më 28 Nëntor 1443, kur kryetrimi e Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu arriti në Krujë, për të krijuar lavdinë e pamposhtur ndër shekuj.

Nëntori i dytë, ishte Nëntori i Ismail Qemalit, kur në Vlorën heroike, ngritët flamuri, si shenjë e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Ishte kjo një ditë që sublimonte dhe sintetizonte, përpjekjet gati pesë shekullore për pavarësi nga zgjedha otomane.

Ishte kjo ditë që përmblodhi aktivitetet atdhetare të qindra rilindësve, atdhetarëve që kurorëzuan me rezistencë pavarësinë e popullit shqiptar.

Kjo ditë, për kombin tonë, do të bëhet fije e ndritshme dhe e pashkëputshme historie, edhe në trojet e okupuara. Në këtë datë, në shtëpinë e mësuesit e patriotit të shquar të Drenicës, Shaban Jashari, i lind djalë, më 28 Nëntor 1955. Kjo datë e kjo ditë, sot kujtohet si vijim i historisë më të ndritshme të shtetësisë e rezistencës, sepse, lind komandanti ynë legjendar, Adem Jashari.

Sot, me nderim të thellë kujtojmë aktet historike të Ademit, Hamzës, Rifatit e Babës Shaban, të një lufte legjendare që e kujtojmë me përkulje të thellë.

Më 28 Nëntor 1997, në Llaushë, do ta kujtojmë 28 Nëntorin e katërt, atë të daljes në skenë për herë të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Mujë Krasniqit, Daut Haradinajt dhe Rexhep Selimit. Datë kjo që rrokullisi ortekun e rezistencës, deri në çlirim.

Më shumë se kurrë, sot, ndjehemi krenar me këto data historike, data të memories tonë kombëtare, të denjë për t’i treguar pasardhësve tanë, se nga janë simbolet e qenësisë tonë nacionale dhe shtetërore.

Sot, kujtojmë të gjithë të rënët për atdhe, për veprimtarinë e tyre patriotike, kujtojmë sakrificën e heronjve tanë, kujtojmë mijëra dëshmorë, martirë dhe të pagjetur, që vendit tonë i sollën lirinë.

Me përkushtimin tonë institucional, dëshmojmë se e kemi merituar lirinë, duke punuar e dhënë kontributin tonë me qeverisje shembullore, në interes të qytetarëve pa dallim, në interes të komunës dhe shtetit tonë.

Ju uroj të gjithë qytetarëve të Drenasit si dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë, festën e 28 Nëntorit!”, ka përfunduar Lladrovci.

Pjesë e kësaj seance ishin edhe anëtarë të kuvendit komunal, drejtorë të drejtorive komunale, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të subjekteve politike në Drenas dhe qytetarë./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit