Mattarella: Qeveri mbi palët, ose zgjedhje të reja

Mos i humb

 

Një qeveri e përkohshme, e përbërë nga personalitete të pranuara nga të gjithë. Është kjo zgjidhja që propozon presidenti italian, Sergio Mattarella pas raundit të fundit të negociatave për zhbllokimin e krizës politike që ka përfshirë vendin.

Sipas tij, nuk ka më shpresa për krijimin e një aleance funksionale dhe Italia nuk mund të presë më për lidershipin. Dy muaj pas zgjedhjeve të 4 marsit, që nuk patën një fitues të qartë, kreu i shtetit i kërkoi liderëve politikë të mbështesin qeverinë teknike, të paktën deri kur të miratohet buxheti në 31 Dhjetor.

Mattarella tha se alternativa tjetër do të ishin zgjedhjet e reja në verë ose vjeshtë, por mbajtja e tyre para vitit 2019, sipas tij do ta ekspozonte Italinë ndaj rreziqeve të shumta. Presidenti nuk propozoi ndonjë emër për qeverinë teknike, por theksoi se pjesëtarët e saj nuk do të lejohen të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme dhe se do të dorëhiqeshin nëse në parlament do të krijohej një shumicë politike para votimit të ri.

“Përpjekja për t’i dhënë jetë një koalicioni mes qendrës së djathtë dhe lëvizjes ‘5 yjet’ rezultoi e pasuksesshme. Propozimi i lëvizjes ‘5 yjet’ për të krijuar një shumicë me Lega Nord nuk gjeti mbështetje, ashtu si mundësia e një aleance mes tyre dhe Partisë Demokratike. Ndërkaq ka qenë gjithmonë e qartë pamundësia e një marrëveshjeje mes qendrës së djathtë dhe Partisë Demokratike. Nuk ka më asnjë shpresë për krijimin e një qeverie përmes një marrëveshjeje politike”, deklaroi Mattarella.

Presidenti italian nuk mundi ta fshehë frustrimin, pasi për javë të tëra u përpoq të zhbllokonte ngërçin që pasoi votimin e 4 marsit, ku koalicioni i qendrës së djathtë, siguroi 37 % të votave, lëvizja ‘5 yjet’ 32 %, ndërsa Partia Demokratike në pushtet vetëm 19 %, duke regjistruar rezultatin më të dobët në historinë e saj.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit