“Megjashi” prezanton raportin mbi përfaqësimin e të drejtave të fëmijëve në Kuvend

Mos i humb

Ambasada e parë për fëmijë në botë “Megjashi” ka deklaruar se në gjashtë muajt e parë të këtij viti Kuvendi i Maqedonisë së Veriut për fëmijët dhe të drejtat e fëmijëve ka diskutuar vetëm në seancën e pyetjeve të deputetëve.

Në një konferencë për media në Shkup, “Megjashi” prezantoi raportin për përfaqësimin e të drejtave të fëmijëve në Kuvend nga janari deri më 23 qershor të këtij viti.

Themeluesi dhe drejtori i Ambasadës së fëmijëve “Megjashi”, Dragi Zmijanac, tha se në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në 3.5 vitet e fundit janë parashtruar gjithsej 582 pyetje të deputetëve. Ai theksoi se direkt ose indirekt lidhur me të drejtat e fëmijëve janë parashtruar vetëm 53 pyetje apo më pak se 10 për qind nga numri i përgjithshëm i pyetjeve të parashtruara.

“Kjo është një tregues shumë i fuqishëm se sa në fakt fëmijët janë prioritet për deputetët në diskutimet parlamentare”, tha Zmijanac.

Ai shtoi se këto 53 pyetje ishin përqendruar në të drejtat e fëmijëve për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe ajër të pastër, si dhe për kujdesin e tyre shëndetësor dhe mbrojtjen sociale, por siç tha ai, ka munguar një përqendrim i madh rreth të drejtës për arsimin e fëmijëve.

Zmijanac po ashtu theksoi se deputetët janë të hapur për bashkëpunim me Ambasadën e fëmijëve “Megjashi” dhe se presioni publik padyshim ndihmon shumë që deputetët të jenë edhe më tej të motivuar për të parashtruar pyetje.

Koordinatorja e projektit, Jana Zengovska, bëri të ditur se nga 21 seanca plenare vetëm në 5 prej tyre është folur drejtpërdrejt për fëmijët.

“Edhe pse shifrat i shohim se janë më pak se 10 për qind ku është folur për të drejtat e fëmijëve, unë shoh se ekziston një dinamikë më ndryshe në parashtrimin e pyetjeve nga takimi i drejtpërdrejt dhe bashkëpumimi me lobin e grupeve parlamentare”, tha Zengovska.

Raporti është përgatitur në kuadër të projektit “Zbatimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijës”, që zbatohet nga koalicioni i organizatave rinore “SEGA”, Ambasada e parë për fëmijë në botë “Megjashi” dhe Forumi Rinor Arsimor, në mbështetje nga Fondacioni i Fëmijëve “Pestalozzi”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit