Ballina Islam Mësime të përfituara nga surja Jusuf!

Mësime të përfituara nga surja Jusuf!

34
0

1. Historia jote më mësoi se disa njerëz na urrejnë për të mirat që posedojmë, jo për të keqen që kemi kryer!Ty të urryen sepse ishe i bukur, i mirë e nuk u ngjaje vëllezërve, kështu njerëzit nuk e duan atë që u kujton të metat dhe dobësitë që kanë!

2. Nga historia jote mësova se goditja ndonjëherë të vjen andej nga nuk e pret. Është e vërtetë që ti shpëtove nga ujku, por nuk shpëtove dot nga vëllezërit e tu!

3. Historia jote më mësoi se nuk duhet t’ia tregoj të gjithëve mirësitë që m’i ka dhuruar Allahu, sepse sytë e disave janë shumë lakmitarë dhe zemrat i kanë shumë të ngushta. Ata shohin në atë që ndodhet në duart e të tjerëve, më shumë se ç’shohin në atë që posedojnë duart e tyre.

4. Nga historia jote mësova se disa keqbërës ndonjëherë stolisen me petkun e këshillës dhe keqardhjes. Iblisi i tha babait të njerëzimit Ademit: “A dëshiron të tregoj pemën e përjetësisë?” Ndërsa vëllezërit e tu i thanë babait tënd Jakubit: “Ne ia duam të mirën atij”. “Padyshim se ne do ta ruajmë atë”.

5. Nga historia jote mësova se ka të keqe e cila është më e lehtë se shoqet e saj, dhe se njerëzit siç dallojnë tek e mira, ashtu dallojnë edhe tek e keqja. Si për çudi ty të shpëtoi vëllai me të keqen më të vogël kur tha: “Mos e mbysni Jusufin, e nëse e keni vendosur, atëherë hidheni në fund të bunarit.”

6. Nga historia jote mësova që të mos i tregoj të tjerëve atë se ç’më frikëson, në mënyrë që mos të më luftojnë me të. Babai yt kur u tha vëllezërve të tu: “Kam frikë se do ta hajë ujku”. Ata pasi zbatuan planin i thanë se ty të hëngri ujku.

7. Nga historia jote mësova se ëmbëlsia e besimit dominon mbi hidhësitë e jetës. Padyshim se ëmbëlsia e besimit tënd, bëri që ta tejkalosh hidhësinë e burgut; ndërkohë nëse do të kishe tradhtuar, kështjella do të dukej burg edhe pse ishte e madhe.

8. Nga historia jote mësova se e mira dhe e keqja nuk është tek ato që posedojmë, por tek mënyra se si i përdorim ato. Këmisha jote herë u përdor si metodë për të gënjyer, herë u përdor si shenjë pafajësie dhe një herë tjetër si ilaç (për të kthyer shikimin).

9. Nga historia jote mësova se kjo botë është e pavlerë. Sa i poshtër është ai vend ku ti (profet i Zotit) shitesh e blihesh për disa grosh!

10. Nga historia jote mësova se shkollat, universitetet dhe librat nuk janë vetëm se mjete, dhe se mësuesi i së vërtetës është Allahu. “E që t’ia mësojmë atij shpjegimin e ëndrrave”. “E kur e arriti pjekurinë e tij, Ne i dhamë pushtet e dituri”. Padyshim se Allahu ia dhuron dijen robit në sajë të devotshmërisë që ka: “Kini frikë Allahun se Allahu ju dhuron dituri”.

11. Nga historia jote mësova se fisniku nuk të ha kurrë në besë, se njerëzit e mëdhenj e kthejnë të keqen me të mirë dhe se njerëzit e vlerave nuk pështyjnë kurrë në enën që kanë pirë. Sa bukur tingëllon fjala jote: “Kurse ai (Jusufi) tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, zotëria im ka treguar kujdes për mua (si mund t’i bëj hile në familje?!)”.

12. Nga historia jote mësova se besnikëria e vërtetë është atëherë kur ke mundësi të tradhtosh, dhe se ndershmëria e vërtetë është kur e frenon veten nga imoraliteti edhe pse ke mundësi ta kryesh. Vërtet ty tu ofrua mundësia, por njerëz si ty nuk tradhtojnë dhe nuk janë imoral.

13. Nga historia jote mësova se i ruajtur, është ai të cilin e ruan Allahu, ndërsa i humbur është ai të cilin Allahu e lë peng të epsheve të vetes. “Çdokush që i përkushtohet Allahut në kohë të mira, Allahu do të kujdeset për të kur është në vështirësi.

14. Nga historia jote mësova se kur Allahu dëshiron ta shfaqë diçka, do ta bëjë edhe nëse të gjithë njerëzit përpiqen ta fshehin atë. Dëshmia për pastërtinë tënde erdhi nga ata që nuk pritej, pikërisht nga gruaja e ministrit.

15. Nga historia jote mësova se në burgje ka plot të pafajshëm, se disa njerëz kanë hyrë në burgje me shkakun e vetëm se nuk kanë bërë krim dhe se padrejtësia është e vjetër mes njerëzve.

16. Nga historia jote mësova se në çdo vend ka hapësirë për davet (predikim). Skllav në pallatin e ministrit ftove në fenë e Zotit, i burgosur ftove bashkëvuajtësit për tek Allahu, madje edhe kur u bëre ministër e me famë, ftove në fenë e Zotit tënd.

17. Nga historia jote mësova se Allahu gjithmonë zgjedh armën e duhur për t’i dhuruar fitoren të dashurve të Tij, madje shpeshherë njerëzve nuk u shkon mendja kurrë tek ajo. Nëse do të dëshironte, Ai mund të nxirrte duke urdhëruar melaiket të shembnin murin e burgut, porse Ai e bëri këtë nëpërmjet ëndrrës që i shfaqi mbretit.

18. Nga historia jote mësova se metalin origjinal, nuk mund ta ndryshojë vendi ku ndodhet. Në burg për ty thanë: “Ne, me të vërtetë, shohim se ti je njeri i mirë.” Por edhe kur more postin e ministrit vëllezërit të kërkuan falje pasi panë se ti je njeri i mirë.

19. Nga historia jote mësova se smira është shkak i çdo të keqeje. Smira është gjynahu i parë me të cilin u kundërshtua Allahu në qiell; Iblisi refuzoi t’i binte në sexhde Ademit si shkak i smirës. Smira po ashtu është gjynahu i parë me të cilin u kundërshtua Allahu në tokë; Kabili nuk e vrau vëllanë e tij veçse si shkak i smirës, por edhe ti nuk u hodhe në pus veçse për shkak të saj.

20. Nga historia jote mësova se shkatërrimi i ekonomisë vjen si shkak i menaxhimit të keq, jo si shkak i burimeve të pakta. Kur ti i shpëtove banorët e Egjiptit nga kriza e thatësirës, nuk erdhe me burime të reja, por menaxhove si duhet burimet e vjetra.

21. Nga historia jote mësova se kjo botë është luftë e vazhdueshme mes të vërtetës dhe të kotës, luftë e cila nuk do të pushojë deri në ditën e Kiametit. Përplasja jote me zonjën e ministrit, është përplasja mes ndershmërisë dhe epshit në çdo kohë; ndërsa përplasja jote me vëllezërit, është përplasja mes dashurisë dhe urrejtjes në çdo kohë.

22. Nga jeta jote mësova që të planifikoj dhe menaxhoj, sepse njerëzit nuk i çon tek nevojat e tyre vetëm se planifikimi dhe menaxhimi i mirëfilltë. Në vitet ku dominoi thatësira ti punove me planifikim dhe menaxhim, por dhe mbajtjen e vëllait tënd e realizove pas një plani dhe një menaxhimi perfekt.

23. Nga jeta jote mësova se pozita është përgjegjësi dhe jo privilegj. Ti nuk i kërkove depot e shtetit që t’i kesh nën pronësinë tënde, por i kërkove që t’i shpërndash, nëse dikush do të ishte më i aftë, ti kurrë s’do ta kërkoje këtë përgjegjësi.

24. Nga jeta jote mësova se dashuria ka një aromë të cilën e nuhasin vetëm ata që të duan. Prandaj, babai yt ndjeu erën tënde para se t’i arrijë këmisha jote.

25. Nga jeta jote mësova se drejtësia mes fëmijëve është diçka e duhur, dhe se prindërit shpesh janë shkaktarë që fëmijët të urrehen me njëri-tjetrin duke mos e vënë re një gjë të tillë. Allahu bëri që babai yt të dallojë nga vëllezërit e tu, që të na mësojë se nëse e duam një fëmijë më shumë se të tjerët kjo dashuri duhet të mbetet në zemër e mos të shprehet në praktikë e sjellje.

26. Nga jeta jote mësova se për brengat dhe mërzinë nuk duhet t’i ankohem askujt përveç Allahut, sepse njerëzit janë ose dashamirë ose urrejtës. Ai që më do, do të mërzitet për shkakun tim e ai që më urren do t’i gëzohet fatkeqësisë sime, e që të dy nuk mund ta zgjidhin hallin tim. Atëherë përse ankesa të mos i drejtohet vetëm se Atij në dorën e të Cilit është e gjithë çështja ime?!

27. Nga jeta jote mësova se nuk ka krim të përsosur. Kriminelit gjithmonë i shpëtojnë disa detaje të vogla të cilat nuk i vëren. Vëllezërit e tu harruan ta shqyejnë këmishën tënde. Çfarë ujku na qenka ai i cili sulmon dhe ha një fëmijë ndërsa këmisha e tij shpëton pa u shqyer fare?!

28. Nga jeta jote mësova se disa gjërave duhet të mos ia vë veshin në mënyrë që të mbetet dashuria, se duhet të sillem sikur nuk kuptova gjë, që të mbeten raportet e mira. Të gjitha çfarë përjetove ti i mbylle në zemër dhe nuk i shprehe edhe pse e kishe mundësinë për ta bërë një gjë të tillë, mirëpo të mëdhenjtë nuk ia vënë veshin imtësive. Arabët thonë: “Njerëzit e mëdhenj shtiren sikur nuk kuptojnë.”

29. Nga jeta jote mësova se njerëzit e mëdhenj falin atëherë kur e kanë mundësinë e hakmarrjes dhe se falja është edukatë, dhe se falësi nuk është i nënçmuar, nëse ia falë të penduarit. Me gjithë komplotin për të të mbytur, ti the: .”.. pasi djalli pat futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi…” Ndaj kush kalon kufirin e të mëdhenjve ai nuk ua atribuon të keqen atyre që e veprojnë atë.

30. Nga jeta jote mësova se jeta është sprovë e cila kalohet me durim dhe se pas vështirësisë vjen lehtësimi. Kujt ia merrte mendja pasi të hodhën në pus se do të bëheshe guvernator i Egjiptit dhe se ëndrra jote do të bëhej realitet!

Ed’hem Sherkavi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here