Nga Bujar M. HOXHA: Rama ka emëruar një ministër, jo një katolik

Mos i humb

Pas vitesh me gabime të pashpjegueshme në përzgjedhjen e emrave për një prej institucioneve më të rëndësishme dhe më delikate të shtetit, kryeministri Rama duket se i ka rënë më në fund pikës. Ministria e Brendshme do të ketë tani për të parë të saj një njeri që i vë tmerrësisht në vështirësi kundërshtarët e shumtë të qeverisë socialiste për ta goditur.

Sandër Lleshi është një person krejt ndryshe nga dy paraardhësit. As është i papjekur, i rrëmbyer, konfliktual, nganjëherë gojëprishur dhe i akuzuar për lidhje me botën e krimit si Tahiri, as nuk duket se ka ndonjë të shkuar apo vëlla që mund t’i njollosë emrin e karrierën e ta kthejë në tabelë qitjeje si Xhafa.

Me një përgatitje tërësisht ushtarake, ministri i ri që ende pret dekretimin nuk u përket llogoreve të frontit të luftës politike pa parime në vend. Me dashje ai ka zgjedhur që të jetë disi në prapavijë, që të flasë puna e tij për të, e jo ai për punën e tij.

Dalja e tij e parë e gjatë publike mbrëmjen e së hënës në një prej televizioneve kryesore na zbuloi një tipologji të harruar, atë të personit që synon t’i shërbejë vërtet vendit të tij me tërë bagazhin e vet profesional, intelektual.

Zotërues i një gjuhë tejet të butë e të kthjellët, krejt i qartë për detyrën e tij, aspak hakërrues, mjaft serioz, jo i gatshëm për t’u përfshirë në debatin rrënues politik, madje krejt i distancuar nga ai, Sandër Lleshi i përcolli publikut pamjen e një funksionari model. Siç shpresohet shumë që të jetë!

Ai nuk e fshehu faktin se e ka pranuar detyrën për hir të kryeministrit Rama, për shkak se ndan shumë gjëra me të, e ngaqë kanë bashkëpunuar me sukses në këto vite.

Gati me shpatulla pas muri gjatë gjithë shtatorit nga sulmet e opozitës, Rama, nga në mbrojtje, është kthyer në sulm gjatë muajit pasardhës. Terreni i fituar me vendimin për mbylljen e të gjithë veprimtarisë së dukshme të kumarit, të pothuajse çdo forme, arrestimet e shumta policore, si shprehje e vendosmërisë për ta luftuar krimin, janë pasuar nga emërimi i ministrit të ri të Brendshëm pas dorëheqjes së beftë të Xhafës në fundjavë. Thuajse një shah mat për kundërshtarët, të gjetur krejt të papërgatitur për t’iu kundërvënë dhe këtij emërimi.

Sigurisht që Rama do duhet përshëndetur për përzgjedhjen e Lleshit, sido që mbetet për t’u parë se sa do të jetë i suksesshëm ky i fundit në atë detyrë të vështirë. Sigurisht që Rama ka vepruar politikisht, duke dashur të emërojë dikë emri i të cilit të mos i sjellë më kokëçarje. Dhe, për të qenë të drejtë në gjykim, meriton një bravo të madhe për këtë zgjedhje!

Por, dhe këtu duhet theksuar përsëri fjala sigurisht, kryeministri nuk është nisur në përzgjedhjen e ministrit të ri me mendjen se ç’besimi i përket ai, se ç’ndjeshmërish besimore ka ai. Vështirë që Rama ta ketë patur këtë hall, e pamundur që ta ketë patur këtë hall.

I emëruari i tij ka rastisur të jetë katolik, siç mund të ishte ndryshe. Dhe këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Mëtimi për ta zhvendosur debatin në këtë rrafsh është si të kërkosh gjilpërën në kashtë, ndërkohë që kalon në heshtje aftësia e Ramës për të dalë nëpër vrimë të gjilpërës. Dëshira për t’ia bashkangjitur të emëruarit të ri të Ramës mbiemërorin “katolik” në këtë kontekst nuk është e pafajshme. Siç nuk janë të pafajshme as kritikat me këtë rast, as lëvdatat pa vend. Rama ka emëruar një ministër, jo një katolik! /tesheshi.com/            

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit