O besimtarë, jetoni në paqe dhe mos shkoni gjurmëve të shejtanit!

Mos i humb

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të Cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Salavatet, selami dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Të dashur vëllezër besimtarë;
Në hutben e sotme do të flasim në temën: “O besimtarë, jetoni në paqe dhe mos shkoni gjurmëve të shejtanit!”
Kur’ani është shpallur si udhërrëfyes për njerëzit në të cilin Allahu i Plotfuqishëm ua urdhëron njerëzve sjelljen shembullore dhe moralin. Kurse në thelb të këtij morali gjenden idetë si: dashuria, dhembshuria, toleranca, drejtësia dhe mëshira.
Fjala ‘Islam’ në arabisht vjen në të njëjtin kuptim si fjala ‘paqe’. Islami është fe e cila është shpallur që njerëzimit t’i sigurojë jetë me plotë qetësi dhe paqe. Në ajetet kuranore thirren njerëzit në moralin islam, si model në të cilin në Tokë do të mund të jetojnë merhameti, dhembshuria, toleranca dhe paqja.
Allahu i Plotfuqishëm thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا ادْخُلُوا فِي السِّلْمِ كَافَّةً وَلَا تَتَّبِعُوا خُطُوَاتِ الشَّيْطَانِ إِنَّهُ لَكُمْ عَدُوٌّ مُّبِينٌ
“O besimtarë, bëni paqe pa përjashtim, të gjithë, dhe mos shkoni gjurmëve të shejtanit, atë e keni, pa dyshim, armik të përbetuar.” (el-Bekare, 208)
Siç mund të shihet nga ajeti i cituar, Allahu i Plotfuqishëm thotë se ‘siguria’ e njerëzve mund të arrihet ekskluzivisht nga jetësimi i moralit kuranor, nga jetësimi i moralit islam.
Të dashur vëllezër,
Në vazhdim të hutbes do të njoftohemi me rregullat e moralit kuranor, përkatësisht, të moralit islam:
1. Islami përcakton dialog të detyrueshëm midis grupeve të ndryshme dhe njerëzve me mendim ndryshe, dhe kërkon që ky dialog të bazohet në bisedë dhe diskutim të mirë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Dhe, polemizoni me ithtarët e Librit në mënyrën më të bukur…” (el-Ankebut, 46)
2. Islami urdhëron shenjtërinë dhe paprekshmërinë gjakut të njeriut, pronës, nderit dhe ruajtjes së atdheut. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Ai që mbyt ndokënd, i cili s’ka mbytur askënd, ose atë që nuk ka bërë çrregullim në Tokë – është sikur t’i mbysësh të gjithë njerëzit…” (el-Maide, 32)
Abdullah ibn Abbasi (r.a.), ka thënë: “Pejgamberi (savs), e shikoi Qabenë dhe tha: ‘Respekt për ty, oj shtëpi e shenjtë! Ti je madhështore dhe shenjtëria jote është madhështore, por shenjtëria dhe nderi i besimtarit tek Allahu është më i madh se shenjtëria jote. Allahu ty të ka bërë të shenjtë për një arsye, kurse tek besimtari i ka bërë të shenjta tri: jetën e tij, pasurinë e tij dhe mendimin e mirë për të.’ ”
3. Në vend të konfliktit dhe luftës, Islami përcakton që marrëdhëniet ndërmjet popujve të jenë në frymën e njohjes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit reciprok, sepse Allahu i Plotfuqishëm thotë: “O njerëz! Ne, me të vërtetë, u krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre dhe u bëmë juve popuj dhe fise, për t’u njohur (në mes vete). Më i ndershmi te Allahu është ai që i druan më së shumti Atij…” (el-Huxhurat, 13)
4. Islami garanton lirinë e besimit, ashtu që askush nuk guxon të detyrohet që t’i përket ndonjë feje apo drejtimi. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “S’ka shtrëngim në fe, se me të vërtetë është dalluar e drejta nga e shtrembëta!…“ (el-Bekare, 256)
5. Islami urdhëron që thirrja në rrugën e drejtë të bëhet me urtësi dhe me këshillë të bukur, duke përjashtuar me atë rast çdo formë të vrazhdësisë, mizorisë dhe jo njerëzisë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Thirri në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur. Dhe, diskuto me ta si është më bukur!…” (en-Nahl, 125)
“Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed!) – e sikur të ishe i ashpër dhe vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Falju gabimin atyre dhe kërko falje te Allahu për ta, e bisedo me ta për punë të jetesës…” (Al-Imran, 159)
6. Sa i përket marrëdhënieve midis popujve, Islami ka caktuar që baza të jetë siguria dhe paqja, kurse lufta është përjashtim. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Mos i luftoni ata pranë xhamisë së shenjtë (Mesxhidul-Haram) deri që ata t’ju luftojnë juve aty, e nëse ju sulmojnë, atëherë sulmoni edhe ju ata. I këtillë është ndëshkimi ndaj jobesimtarëve.” (el-Bekare, 191)
“Dhe, mos t’ju nxisë juve urrejtja ndaj disa njerëzve, nga se ju kanë penguar juve në të vizituarit e Qabesë, kurrsesi mos t’ju nxisë që t’i sulmoni! Ndihmoni njëri-tjetrit në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat, dhe mos ndihmoni në mëkate dhe armiqësi! Dhe kini frikë Allahun! Se, Allahu, dënon ashpër.” (el-Maide, 2)
7. Islami ka përcaktuar dënimin më të rëndë për ata që e rrënojnë paqen dhe sigurinë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe të cilët bëjnë ngatërresa në Tokë është të vriten ose të varen, ose t’u këputen duart dhe këmbët e tyre nga anët e ndryshme (djathtas e majtas), ose të dëbohen nga vendi. Ky ndëshkim për ta është poshtërim në këtë jetë, e në jetën tjetër ka mundim të madh për ta.” (el-Maide, 33)
Të dashur vëllezër,
Këto janë vetëm disa nga rregullat e moralit islam, të cilave duhet tu përmbahemi nëse dëshirojmë të ndërtojmë bashkëjetesë paqësore mes njerëzve.
O Allahu ynë i dashur, na bëj që në zemrat tona të mbizotërojë harmonia dhe paqja! Largoji nga ne mospajtimet, urrejtjet dhe poshtërsitë!
I lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që të na ndihmojë ta ruajmë fenë islame,
– që t’i ndihmojë vëllezërit dhe motrat tona në rrezik kudo qofshin,
– që të na jepe bereqet në të gjitha gjërat,
– që të na mbrojë nga sprovat që nuk mund t’i përballojmë,
– që t’i mëshirojë prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur,
– që fëmijët dhe pasardhësit tanë t’i bëjë dritë të syve dhe zemrave dhe udhëheqës të umetit,
– që të na mëshirojë neve në ditën e Gjykimit, dhe
– që të na nderojë në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit