Palestina refuzon ftesën e SHBA-vë për “mbledhjen për Gazën”

Mos i humb

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Ahmed Mexhdelani, njoftoi se kanë refuzuar ftesën e SHBA-ve për të marrë pjesë në mbledhjen e planifikuar për t’u zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar situatën ekonomike në Gaza.

Duke folur në radion “Zëri i Palestinës” Mexhdelani tha se palestinezët kanë refuzuar ftesën e bërë nga përfaqësuesi special i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për Negociatat Ndërkombëtare, Jason Greenblatt, për të “marrë pjesë në mbledhjen e cila do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar situatën ekonomike në Rripin e Gazës”.

Mexhdelani tha se takimi në fjalë do të mbahej në kuadër të projektit për të distancuar kauzën palestineze dhe jo për shqetësimet humanitare, dhe ka theksuar se burimi i problemeve të palestinezëve në Gaza është bllokada e zbatuar nga Izraeli.

– “Për krizën në Gaza nevojitet zgjidhje politike dhe jo ekonomike”

Mexhdelani tha se duhet të bisedohet për heqjen e bllokadës në Gaza dhe jo të flitet për zgjidhjet ekonomike, dhe shtoi se “për krizën në Gaza nevojitet zgjidhje politike dhe jo ekonomike”.

Përfaqësuesi special i Trumpit për Negociatat Ndërkombëtare, Greenblatt, kishte njoftuar se “Në Shtëpinë e Bardhë do të zhvillohej një mbledhje për të gjetur zgjidhje mbi krizën e përjetuar në Gaza”.

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të mbajnë një takim më 13 mars në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mënyrat për të mbështetur Gazën, ku po përjetohet një krizë humanitare për shkak të bllokadës tokësore, ajrore dhe detare të zbatuar nga Izraeli që nga viti 2006.

Sipas statistikave të fundit, nga rreth 2 milionë palestinezë jetojnë në Gaza, 80 për qind e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë. Shkalla e papunësisë në rajon thuhet se arrin në 46 për qind./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit