Rama e quajti të paditur, Haradinaj: Me shqiptarët jemi një, nuk mërzitem se kush hidhërohet nga qëndrimet e mia

Mos i humb

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një intervistë të dhënë për mediat në Kosovë, i është rikthyer debatit me kryeministrin Edi Rama, që pak ditë më parë do ta quante të paditur kronik.

Haradinaj ka thënë se i vjen keq prej shqiptarëve që kryeministrat e këtyre dy vendeve po polemizojnë në distancë.

I pari i qeverisë ka sqaruar se kur pozicionohet për çështje nacionale nuk e bën këtë për inat apo për hatër të dikujt tjetër.

“Krejt shqiptarët, pavarësisht feve, krahinave, partive politike, jemi vëllezër e motra. Ne jemi një. Por, për interesa nacionale nuk kam qare pa u pozicionuar.

Dhe kur pozicionohem nuk e bëj për inat të njërit apo për hatër të njërit, sepse për interes nacional janë vrarë Shkëlzeni, Luani dhe familja ime i ka kaluar ato që i ka përjetuar.

Kur kam dalë kundër ndarjes dhe kundër asaj se ‘Trepça’ t’i mbetet Serbisë nuk mërzitem se kush hidhërohet. Aty është burimi i ndasive që kemi. U kërkojmë falje të gjithë shqiptarëve që i mërzisim tash me këtë gjuhë që përdoret”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë i Kosovës ka kritikuar Qeverinë e Shqipërisë që i ka sjellë pengesa dy ekonomive në momentin që Kosova ka vendosur taksën prej 100 përqindësh për produktet serbe.

Ai ka vlerësuar se Shqipëria është dashur ta marrë tregun e Kosovës dhe jo të vendosë taksë.

“Me dhimben shqiptarët e Shqipërisë, vëllezërit e motrat e jugut, sepse ne kur i kemi vendosur taksë Serbisë është dashur që Shqipëria ta fitojë tregun në Kosovë.

Kur Kosova iu hoq si treg Serbisë, në vend se Shqipëria ta marrë këtë treg, shqiptarët mes vete kanë vendosur taksë në rrugë, e cila është 42 euro për kamion e 5 euro për makinë. Pra, ne kemi vendosur bllokadë që mos me u lidh këto ekonomi”, ka thënë Haradinaj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit