“Republika Çeke mbështet hapjen e negociatave Shqipëri-BE këtë vit”

Mos i humb

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, priti në një takim sot ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Tomash Petriçek, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare.

Pas takimi Cakaj dhe Petriçek dhanë një konferencë të përbashkët për mediat, ku Cakaj tha se Çekia ka qenë mbështetëse e rrugëtimit evropian të Shqipërisë.

“Së bashku jemi pjesë e disa misioneve të sigurisë në kuadër të bashkëpunimit në NATO. Me kolegun Petriçek kemi biseduar edhe për marrëdhëniet dypalëshe, duke insistuar që komunikimi politik të përkthehet në bashkëpunim më të thellë ekonomik. Kemi theksuar nevojën që në fushën e agroturizmit të kemi projekte që kontribuojnë në marrjen e investitorëve”, tha Cakaj.

Sa i përket situatës në rajon, Cakaj tha se kanë biseduar për domosdoshmërinë e zgjidhjes së të gjitha kontesteve dypalëshe për të kontribuar në stabilitetin dhe paqen në rajon, ku sipas tij, Shqipëria në vijimësi ka luajtur rolin e saj pozitiv.

Lidhur me perspektivën e Shqipërisë për integrimin në BE, Cakaj tha se Çekia mbështet hapjen e negociatave të Shqipërisë në qershor të vitit 2019.

“I jam mirënjohës në emër institucioneve të Shqipërisë për mbështetjen e Çekisë për hapjen e negociatave në qershor. Ne kemi përmbushur të gjitha kushtet e Këshillit dhe presim një vendim pozitiv nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave”, deklaroi Cakaj.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme i Republikë së Çekisë, Tomash Petriçek, në fjalën e tij tha se marrëdhëniet me Çekisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe se Shqipëria është një partner i vyer në BE NATO dhe organizata të tjera.

“Dëshiroj të kemi një bashkëpunim të ngushtë ekonomik mes dy vendeve tona. Vitin e kaluar bashkëpunimi ekonomik u rrit me një të tretat dhe ekziston potenciali për një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik në të ardhmen. Shqipëria po bëhet një destinacion gjithmonë dhe më popullor dhe i kërkuar për turistët çekë. Gjithashtu ka dhe një potencial të madh edhe për bashkëpunim në fushë e bujqësisë”, u shpreh Petriçek.

Lidhur me integrimin evropian të Shqipërisë, ai tha se Çekia ka mbështetur gjithmonë zgjerimin e BE-së. “Ne e mbështesim ambicien e Shqipërisë për të hapur bisedimet për anëtarësim këtë qershor dhe ne do t’ju mbështesim përpara partnerëve tanë të BE”, deklaroi kryediplomati i Republikës Çeke.

Duke folur për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, Petriçek tha: “Dy vendet tona bashkëpunojnë si partnerë dhe japin kontribut të përbashkët në sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe rajone të tjera”.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë ministri Petriçek zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit