“Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” në turqisht, interes vizitorësh në stendën e Dritëroit në Klik Ekspo Group

Mos i humb

Vepra më e njohur e shkrimtarit  të madh të letrave shqipe Dritëro Agolli  ‘Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo’, tashmë vjen edhe në gjuhën turke, pas suksesit të korrur në shumë gjuhë të tjera.

Ky roman nga seria e Letërsisë Ballkanike i cili është botuar në turqisht nga Shtëpia Botuese “Ketebe’’ u lançua nga Presidenti i Klik Ekspo Group Luan Muhametaj gjatë mbrëmjes Gala mbajtur në Hotel Rogner, në hapje të Panairit Ndërkombëtar që këtë vit erdhi në edicionin e 25-të tij.

Të ftuar nderi në këtë panair ishin edhe përfaqësues të shtëpisë botuese turke të cilët sollën kopjen e librit në Tiranë, dhe përcollën vlerësimet më të larta për veprën e Agollit, por dhe për interesin e treguar nga vizitorët në stendën ku janë ekspozuar librat e shkrimtarit të madh.

‘’Është kënaqësi pjesëmarrja jonë në edicionin e 25-të të këij panairi, dhe një nder akoma më i madh për letërsinë turke që vepra e një shkrimtari të njohur si Dritëro Agolli është përkthyer në gjuhën tuke, dhe tashmë do të jetë në duar të lexuesve të vendit tonë. Ju uroj shumë suksese në këtë panair,’’ u shpreh përfaqësuesi i shtëpisë botuese turke.

Edhe Rexhep Hida nga shtëpia Botuese Fan Noli u shpreh se: ‘’Panairi Klik Ekspo Group i organizuar për vite me radhë nga z.Muhametaj dhe familja Agolli është një vlerë e shtuar edhe në letërsinë shqipe përmes pavioneve dedikuar librave dhe kulturës. Unë jam i bindur se me këtë organizim të përsosur Klik Ekspo Group do të shënojë suksese të tjera në të ardhmen duke shërbyer si një pasqyrë e zhvillimit të këtij vendi në fushën ekonomike dhe kulturore.’’’

Dritëro Agolli në romanin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ka trajtuar me një stil satirik, temën të cilën e njohim të gjithë ne, përmes absurditetet e burokracisë dhe rregullave të vështira të socializmit. Tema dhe gjuha e romanit është bërë në atë formë, sa kurrë nuk do ta humbasë orgjinalitetin e saj, por do të jetë gjithmonë universale!

Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, edhe pse në shikim të parë duket sikur është një roman që ndjek rregullat strikte të realizmit socialist, i cili nuk lejonte lirinë dhe diskriminimin; në fakt është një vepër e shkruar me inteligjencë dhe mjeshtëri të madhe. Agolli ka bërë një vepër, e cila mund ta kritikojë sistemin me një humor të hollë dhe me një zgjuarsi të mprehtë. Romani i cili është përkthyer në shumë gjuhë të botës ka marrë vëmendje të konsiderushme në të gjitha vendet ku është botuar. Rrugëtimi i personazhit Zylo ka siguruar një ballafaqim për njerëzit e çdo kulture. Çdo lexues në këtë roman do ta gjejë një njeri të njohur nga jeta e tij, sepse do të përballet me vërtetën e qënies njerëzore. A nuk janë të gjitha romanet e mira të shkruara sikur na kanë edhe ne brenda vetes të tyre?!

Me nota të larta vlerësimi ka shkruar edhe kritika letare në Turqi, ku një ndër revistat më prestigjoze ‘Çins’ shkruan se Dritëro Agolli në romanin e tij ka trajtuar burokracinë në atë formë, sa kurrë nuk do ta humbasë origjinalitetin e saj, por do të jetë gjithmonë universale! Në një nga shkrimet e ditëve të fundit Dritëro Agolli përmendet si një nga dy shkrimtarët më të mëdhenj që Shqipëria i dha botës, duke u konsideruar si një shkrimtar klasik. Revista “Cins” përmend faktin se Agolli është një ndër figurat qendrore të letërsisë shqipe si dhe një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të viteve ’60.

Edhe përkthyesja turke e këtij romani, Ece Dillioğlu, është shprehur me superlativa për këtë vepër, ndërsa shprehet me këto fjalë: “Një libër i mrekullueshëm i Dritëro Agoll-it “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” u përkthye në turqisht. Unë si përkthyesja e librit, mund të them se këtë roman duhet ta lexojnë të gjithë, pasi çdo njeri e ka një personazh si Zyloja në jetën e tij. E falënderoj edhe zonjën Elona Agolli për bashkëpunimin që ka bërë”, shkruan Ece Dillioğlu.

BESNIKËRIA e DRITËROIT  NDAJ RRËNJËVE TË TIJ

Agolli ka vrapuar në rrugën e imazhit ideal shqiptar. “Nëna Shqipëri”, e shkruar në vitin 1975, është poema që të tërheq më shumë. Figura e atdheut është krijuar me tradita heroizmi. Në të janë theksuar vështirësitë të cilat ndeshen gjatë rrugës, pengesat dhe ndjenja e revoltës së vendosur ndaj armiqve.

Besnikëria  ndaj rrënjëve të tij është një ndër shenjat poetike të tij. Ai është përfaqësuesi më i pasur  dhe pa mangësi i rrymës moderne të lirizmit. Elementet e tokës, punës, familjes, babait, prindërve dhe atdheut kanë mbizotëruar në vargjet e tij Si për shembull në poezinë “Biri” : “Nuk jam kushëriri yt i largët/ Jam biri yt /Shqipëri / Rrënjët e mia i vura në majat e tua / Dhe piva qumështin tënd / nga krojet e tek ata…”

Sokëllimat dhe ofshamat në poezitë e tij si te “Fushë-Kosova” janë elemente të traditës poetike shqiptare. “Ah, të çlirohej vetëm me vjersha Kosova, / Unë e çliroja i pari, mua lavdia më ndriste të parit.”  Dritëro Agolli u nda nga jeta në Tiranë më 3 shkurt 2017 në moshën 85-vjeçare. Por ai vazhdon të jetë një ndër penat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit