Shqipëri, ekspozitë për “persekutimin komunist”

Mos i humb

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka hapur në Tiranë ekspozitën me materiale arkivore të dhjetëra dosjeve që kanë dokumentuar përndjekjen e strukturave të ish-sigurimit gjatë regjimit komunist.

Në ekspozitën dyditore përfshihen dokumente të “persekutimit komunist”, në zonën e Tepelenës në Shqipëri, ku shumë prej të cilave ekspozohen për herë të parë.

Materialet janë disa mijëra faqe dhe vihen në dispozicion të të interesuarve, studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, ish-të përndjekurve politikë gjatë regjimit komunist dhe familjarëve të tyre, si dhe organizatave të shoqërisë civile që studiojnë të kaluarën komuniste në Shqipëri.

Pjesë e saj janë konkretisht treguesit alfabetikë që mbante ish-sigurimi i shtetit komunist në Shqipëri për të përndjekurit, dokumente të përndjekjes së klerit, dosje informative të të pushkatuarve, si dhe dosje të survejimit të personave të internuar.

Kjo ekspozitë dokumentare kushtuar përkujtimit të viktimave dhe personave të mbijetuar nga regjimi komunist, i paraprin Ditës Muze Memorial në Tepelenë që do të zhvillohet më 23 gusht 2018, në kuadër të Ditës Evropianë të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

Në hapje të ekspozitës ishin të pranishëm drejtues të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, përfaqësues të Muzeut Historik Kombëtar, studiues, si dhe familjarë të personave të përndjekur gjatë regjimit komunist.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri është institucion përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit