Turqia reagon ndaj premtimeve të “paligjshme” zgjedhore të Netanjahut

28
0

Mesazhet ‘agresive’ të kryeministrit izraelit para zgjedhjeve të javës së ardhshme janë pjesë e ‘shtetit apartejdi racist’, shkruan kryediplomati turk, Mevlut Çavushollu në “Twitter”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) ka reaguar nga “Twitter”-i ndaj deklaratave të Kryeministrit të Izraelit, Beniamin Netanjahu, i cili u ka premtuar votuesve aneksimin e vendbanimeve të jashtëligjshme çifute në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e mban të pushtuar që nga 1967.

“Premtimi zgjedhor i [Kryeministrit izraelit Beniamin] Netanjahu, i cili vazhdon të japë çdo lloj mesazhi të paligjshëm, të padrejtë dhe agresiv në prag të zgjedhjeve, është pjesë e një shteti apartejdi racist. Ne do ti mbrojmë deri në fund të drejtat dhe interesat e vëllezërve tanë palestinezë”,- thotë Çavushollu në postimin që ka bërë në “Twitter”.

Në një konferencë për gazetarët Netanjahu kishte thënë se në koordinim me Administratën amerikane do të siguronte brenda një kohe të shkurtër aneksimin e vendbanimeve çifute që ndodhen në Luginën Jordan të Bregut Perëndimor nëse ai fiton zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen javën e ardhshme (më 17 shtator).

Të njëjtin zotim Netanjahu e kishte bërë edhe në një fjalim elektoral më 9 prill (në rast se i fiton zgjedhjet dhe krijon qeverinë e koalicionit). Netanjahun e kishte mbështetur edhe Ambasadori i ShBA-së në Izrael,David Fiedman, duke thënë se “është e drejtë e Izraelit të aneksojë një pjesë të territoreve të Bregut Perëndimor”.

Izraeli e mban të pushtuar Bregun Perëndimor që nga viti 1967 dhe ka ndërtuar këtu rreth 250 vendbanime të paligjshme çifute duke vendosur më shumë se 400 mijë kolonë hebrenj.

Palestinezët i duan këto territore së bashku me Rripin e Gazës për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.

Ligji ndërkombëtar i pranon si “territore të pushtuara”Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor dhe i konsideron të paligjshme të gjitha vendbanimet çifute që janë ndërtuar në këto territore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here