Vuçiç: Serbët nuk kanë gjasa pa marrëveshje me shqiptarët

Mos i humb

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë Kosovës, por se marrëveshja me shqiptarët duhet të arrihet ashtu që serbët të mbeten në Kosovë.

Sot në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Vuçiç u prit me duartrokitje të gjata nga mijëra qytetarë në sheshin “Shumadija” në veri të Mitrovicës, të cilëve u tha se nuk mund t’i gënjejë dhe t’ua fsheh të vërtetën dhe se nuk mund të jetohet me mite dhe iluzione. Ai tha se serbët kur humbin dhe kur mposhten nuk guxojnë të pranojnë një gjë të tillë, dhe se duhet pranuar se serbët kanë humbur luftën dhe se për këtë paguhet kostoja më e lartë.

Ai tha se serbët pas fjalimit të Sllobodan Millosheviçit në Gazimestan 30 vite më parë, patën tre luftëra me fajin e tyre dhe të tjerëve, si dhe serbët që u vranë për Kninin, për Sarajevën dhe për Prishtinën, në këto vende pothuaj se më nuk kanë mbetur. “Kemi nënvlerësuar të tjerët dhe nuk kemi kuptuar pozitën tonë”, tha ndër të tjera ai duke vlerësuar se “Millosheviçi ka qenë një udhëheqës i madh, me qëllime të mira, por se rezultatet i kishte të dobëta”.

Vuçiç po ashtu theksoi se është e vërtetë se në Prishtinë serbët më nuk janë në pushtet, se aty është Hashim Thaçi të cilin nuk e do, por se për shkak të Serbisë mund të qëndrojë edhe para Thaçit, Merkelit, Macronit dhe Putinit.

“Nuk kemi miq, nuk kemi në mbarë Serbinë, nuk kemi në Kosovë, nuk lindim dhe vdesim shumë. Keni mbetur ju këtu më të fortit dhe më të guximshmit, kurse 30 vite më parë këtu ishim trefish më tepër. Prandaj unë nuk premtoj armë dhe municione, ashtu sikur nuk do të lejojmë që ndokush të përdorë armë dhe municione kundër jush. Ne ju duam juve të jetoni, duam fëmijë serbë, kopshte dhe shkolla, të keni punë, të keni të gjitha ato kërkesa që keni nevojë për të qëndruar këtu në tokë dhe jo lart në qiell”, tha presidenti i Serbisë para serbëve të Kosovës.

Vuçiç u bëri pyetje të gjithë atyre që akuzojnë se dëshiron të ndryshojë kufijtë, se ku janë sot kufijtë.

“Shqiptarët që janë në numër më të madh kanë kufijtë e tyre, kurse unë dua t’ju sigurojë të drejtat, të drejtën tuaj për jetë, liri, siguri dhe nëse për këto të drejta duhet të bëjë kompromise, çdo herë do të bëjë këtë”, tha Vuçiç.

Ai gjithashtu tha se nuk është e vërtetë se deri në vitin e ri Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, por bëhen përpjekje për të siguruar sa më shumë të drejta për serbët e Kosovës, duke shtuar se serbët e Kosovës nuk kanë gjasa pa arritur marrëveshje me shqiptarët dhe se në Bruksel nuk ka kurrfarë plani të zgjidhjes dhe se i njëjta nuk është as afër.

“Ideja ime për nesër është të ruajmë popullin tonë, vendin tonë, institucionet tona të ruajnë paqen, të vendosim ura të paqes madje edhe kur është e pamundur. Dua të besoj se pas luftës, ne mund të jetojmë në paqe. Duam të jemi pjesë e Evropës, kurse shqiptarët duan liberalizimin e vizave, nuk ka pengesa as për ne e as për ta. Do të flasim deri në fund, ndokush ndonjëherë në të ardhmen do të duhet të arrijë marrëveshje me shqiptarët”, theksoi Vuçiç.

Ai tha se zgjidhja nuk shihet askund, por se i lutet Zotit që të ndodhë në 10, 20 vitet e ardhshme ose në të kundërtën nuk do të mbeten serbë në Kosovë.

Presidenti serb ritheksoi se në Kosovë ka ardhur me një plan investues për 10 komuna ku jetojnë serbët dhe për të gjitha vendet ku ata jetojnë, për t’iu mundësuar punë dhe jetë të dinjitetshme.

Në fund tha se dëshiron që Serbia për herë të parë të fitojë pa gjak dhe varre dhe dëshiron të mbetet në memorie si aktivist i së ardhmes dhe jo nga të shtënat./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit