Zvicra vërshohet nga spiunët e maskuar nën petkun e diplomatit

Gjithnjë e më shumë të huaj të cilët në Zvicër ndodhen nën petkun e diplomatit, në fakt kryejnë punë të spiunëve, shkruajnë sot mediet zvicerane. I shqetësuar me këtë fenomen, Këshilli Federal (Qeveria e Zvicrës) ka tërhequr vërejtjen në raportin e tij më të ri lidhur me rreziqet që kërcënojnë sigurinë e Zvicrës, të publikuar sot.

Në shënjestër të veprimeve të spiunazhit janë politika, ekonomia, ushtria e Zvicrës si dhe organizatat ndërkombëgtare që kanë selinë në Zvicër.

Se çfarë përmasash ka marrë kjo dukuri, tregon edhe ky fakt: Sipas dyshimeve të bazuara të qeverisë, në rastin e përfaqësisë në Zvicër të një shteti (të paemërtuar në raport), më shumë se një e katërta e personelit bëjnë punën e spiunëve, gjegjësisht punojnë për shërbimin informativ të vendit të tyre.

Ministri i mbrojtjes, Guy Parmellin në një intervistë për radion SRF ka shprehur shqetësimin e qeverisë rreth kësaj dukurie.

Me ligjin e ri për Shërbimin Inteligjent, i cili ka hyrë në fuqu nga shtatori i vitit 2017, shteti ka më shumë mjete në dorë për të zbuluar dhe demaskuar rastet e spiunazhit, ka thënë Parmelin. Në rastet kur kjo është e nevojshme, sipas Parmelin, do të ndërhyjë edhe drejtësia./Albinfo.ch/