Zyrtari amerikan: Kriza me COVID-19 do të përkeqësohet këtë javë

Mos i humb

Kirurgu i Përgjithshëm i SHBA-së, Jerome Adams, ka thënë se ndikimi i koronavirusit në vend do të përkeqësohet në ditët në vijim.

“Dua që Amerika të kuptojë që këtë javë do të përkeqësohet situata”, tha Adams në një emision në NBC.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ndjekin rekomandimet për të qëndruar në shtëpi për të zbutur përhapjen e pandemisë së koronavirusit të ri të njohur si COVID-19.

“Mendoj se ka shumë njerëz që bëjnë gjënë e duhur. Mendoj se për fat të keq, po e shohim se shumë njerëz mendojnë se kjo nuk mund t’u ndodhë atyre”, tha ai.

“Këtë javë do të keqësohet situata. Ne, me të vërtetë, kemi nevojë që të gjithë të qëndrojnë në shtëpi”, shtoi Adams.

Ai theksoi se zyrtarët nuk duan që Dallas, New Orleans ose Chicago të “shndërrohen në një New York të ri”, ku deri më tani janë raportuar 99 raste të vdekjeve, që është numri më i madh i vdekjeve në SHBA.

“Të gjithë duhet të veprojnë sikur ta kenë virusin tani, të testuar apo të patestuar, ne kemi nevojë që ju të kuptoni se mund ta përhapni atë tek dikush tjetër ose mund ta merrni atë nga dikush tjetër. Qëndroni në shtëpi”, përsëriti Adams.

Ai shtoi se tani “nuk ka mjaftueshëm njerëz që e marrin këtë seriozisht”.

Komentet e zyrtarit shëndetësor erdhën disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump shkroi në Twitter se kufizimet do të rivlerësohen pas përfundimit të periudhës 15-ditore.

“Ne nuk mund të lejojmë që trajtimi të jetë më i keq sesa vetë problemi”, shkroi Trump, duke shtuar se “në fund të periudhës 15-ditore, do të vendosim në cilin drejtim do të shkojmë”.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti John Hopkins, SHBA deri më tani ka raportuar për 473 raste të vdekjeve nga koronavirusi, me më shumë se 35.200 raste të konfirmuara.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur sëmundjen pandemi botërore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit