​Kërkohet burgimi i Pal Lekajt: I fali 53 milionë euro pa i arsyetuar

Mos i humb

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i cili i dha 53 milionë kompanisë Bechtel Enka, tani po heshtë dhe pse një mal akuzash, po bëhen në adresë të tij. Madje edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët janë në koalicion me partinë e Lekajt, po kërkojnë arrestimin e tij, ose të ish ministrit Lutfi Zharku, në lidhje me milionat e dhënë për Bechtel Enken.

Gazetarët që hulumtuan rastin, thonë se diçka fshihet prapa kësaj shume dhe se Lekaj i fali ato para. E dyshimtë vlerësohet edhe shuma, meqë ajo fillestare ka qenë shumë më e ulët.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka, thotë për “KosovaPress”, se kjo Qeveri nuk mund të ec përpara, pa u vënë në përgjegjësi, ministrat të cilët kanë qenë të kyçur direkt në këto gjëra.

Për Zekën në një shtet të varfër si Kosova,  t’i ipen një kompanie 53 milionë euro, është dashur të alarmohet çdo njeri, Qeveria po ashtu dhe Parlamenti.

Ndërsa, thotë se duhet të formohet një komision hetimor, për ta hetuar rastin në fjalë.

Por, politikanët, sipas tij, nuk i  preferojnë komisionet e tilla, pasi që të gjithë janë të përfshirë në këto raste.

Ndërsa thotë se në Kosovë, duhet të bie sistemi kriminal.

E Zekirja Shabani, kryeredaktor në gazetën “Infokus”,  i cili ka siguruar dhe dokumentin, ku figurojnë shifra marramendëse të arsyetimeve që ka bërë kompania Bechtel Enka, për ta rritur çekun në 53 milionë, thotë se bëhet fjalë për vjedhjen më të madhe të ndodhur deri më tani, ku ministri Lekaj, sipas tij, i fali Bechtel-it 53 milionë euro.

Sipas tij, raportin të cilin ata e kanë publikuar, është dashur ta publikojë vet ministri Lekaj, si dëshmi se çfarë është negociuar me “Bechtel Enken”, për skandalin më të madh që tashmë njihet prej 53.4 milionë euro.

Ajo çka fshihet brenda këtij raporti,  siç thekson Shabani, janë korrespodencat mes kësaj kompanie dhe zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, duke filluar prej programit të pagesave, kërkesa për pagesë të detajuar të shërbimeve të punëtorëve dhe të gjitha atyre penalltive, që janë folur në publik, por asnjëherë nuk janë bërë publike prej institucioneve kompetente.

Për Shabanin të gjithë janë përgjegjës, derisa nuk dalin dhe të sqarojnë detaje, se çka po fshihet prapa gjithë këtyre vonesave dhe dokumentacionin, të cilin qytetarët nuk e kanë parë.

Ai thotë se ky është një skandal i madh,  i cili fillon prej ish ministrit Fehmi Mujota, pastaj ish ministrit Zharku dhe tani ministrit Lekaj.

Shabani pohon se është i domosdoshëm një hetim nga  institucionet kompetente.

Por para se të bëhej hetimi, institucionet duhet ta bëjnë publike kontratën.

“Pra bëhet fjalë për një vjedhje më të madhe të ndodhur deri më tash, ku janë përfshirë të gjitha partitë politike, që i kemi njohur, që i kemi pasur në pushtet, duke filluar prej PDK-së  në krye në atë kohë me ministrin Fehmi Mujota, i cili ka nënshkruar kontratën me Bechtel Enken. Pa e përfshirë fillimisht programin e pagesave për autostradën. Pastaj ministri Lutfi Zharku që përfaqëson LDK-në, i cili ka pranuar dhe  ka kërkuar Qeveria në atë kohë zgjatjen e afatit të punimeve dhe së fundi ministri Pal lekaj i cili përfaqëson AAK-në dhe i cili njëfarë forme ia ka falë 53.4 milionë Bechtel Enkes….Deri tash kemi dëgjuar prej ministrit Lekaj ka qenë se ne e kemi shpëtuar Kosovën. Por në fakt për çka e keni shpëtuar Kosovën. E keni shpëtuar Kosovën prej një skandali dhe me të madh. Apo ka qenë e domosdoshme falja e këtyre 53.4 milionë euro. Derisa nuk kemi një argument bindës, prej anës së institucioneve, do të thotë se ky insistimi i ministrit Lekaj,  që me ia dhënë Bechtel Enkes këto pare, neve na bënë me dyshu se është falje. Më shumë po e shohim ministrin Lekaj që insiston me ia dhënë Bechtel Enkes 53.4 milionë euro, se sa që Bechtel Enka ka dal dhe i ka kërkuar këto mjete”, tha ai.

Ndërsam tregon se në raportin, të cilin e kanë siguruar shihen fryrje të çmimeve, të cilat nuk korrespondojnë pastaj me shifrat përfundimtare, të nxjerra në raport.

Shabani më tej theksoi në  kontratat e mëdha në Kosovë, të cilat nuk janë bërë publike, gjithmonë kanë ekzistuar dyshime për përfshirje të zyrtarëve të lartë shtetëror, në këto pazare.

E përkundër insistimit nga KosovaPress, që ta marrë një përgjigje nga ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Lekaj nuk i është përgjigjur thirrjeve të KosovaPress-it dhe pas marrjes me shkrim të një mesazhi, ku i është kërkuar takim, për të  marrë një përgjigje nga ai për 53 milionët që së fundi i janë dhënë Bechtel Enkes.

E pas kësaj, KosovaPress, i është drejtuar këshilltarit të tij Argjent Zejnaj, i cili ka pasur një përgjigje fare të shkurt.

Përgjigjja e vetme e Zejnaj ka qenë, që ministri Lekaj, nuk është këtu, duke mos iu përgjigjur fare pyetjes, se kur  do të kthehet dhe kur ne mund të marrim një përgjigje nga ai, për akuzat e shumta që po bëhen në adresë të tij, për dhënien e 53 milionë euro Konsorciumit Bechtel Enka.

“Ministri Lekaj, nuk është këtu”, ishte përgjigja e vetme e këshilltarit të tij./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit