Ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka deklaruar se ende nuk ka marrë ftesë nga SPAK për t’u marrë në pyetje lidhur me hetimet për ngjarjet e 21 Janarit 2011, ku mbetën të vrarë pesë protestues. Në hyrje të parlamentit, Basha theksoi se është në dispozicion të organit të akuzës dhe theksoi se duhet të mbyllet njëherë e mirë epoka e imunitetit parlamentar.
“Jo, deri tani nuk kam marrë asnjë ftesë nga SPAK, por jam në dispozicion të tij”, tha Basha, i cili gjithashtu shpjegoi se “duhet të marrë fund epoka e imunitetit parlamentar”. Ish-kryetari i PD-së nënvizoi rëndësinë e reformës për heqjen e imunitetit të deputetëve, duke theksuar se kjo do të parandalohej mundësinë për abuzime dhe arratisje nga drejtësia, siç ndodhi, sipas tij, me figura të tilla si ish-ministri Arben Ahmetaj.
“Ne kemi paraqitur një propozim në Kuvend për të hequr imunitetin e deputetëve, por ai mbetet i kyçur në sirtar. Heqja e imunitetit është e domosdoshme për të garantuar që ata që kanë shkelur ligjin të mund të dalin para drejtësisë”, tha Basha.
Në lidhje me mundësinë e përfshirjes së tij në hetimet e dosjes “21 Janari”, Basha theksoi se nuk ka frikë nga hetimet, duke thënë se “frikë kanë ata që kanë shkelur ligjin”. Ai e mbylli fjalën e tij duke shtuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me SPAK për çdo hetim, nëse kërkohet.