Pas disa muajsh pezullim të shërbimit, ditën e sotme rinis kolaudimi i automjeteve.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bën të ditur se fillimisht në sitën e kontrollit teknik do të kalojnë 150 mijë mjete të kategorive të përzgjedhura.
Për të shmangur radhët në subjektet e kontrollit teknik është përcaktuar një kategori automjetesh që e kanë emergjencë futjen në lupën e kontrollit teknik.
DPSHTRR njofton se me rregullat e reja autoveturat dhe motomjetet e reja me 0 km, nuk kolaudohen 3 vitet e para.
Taksitë, autoshkollat, mjetet e transportit urban, ambulancat dhe mjetet e transportit të mallrave, kolaudohen 1 herë në vit.
Ndërkohë, faza e dytë e kolaudimit do të përfshijë mjetet që përfitojnë nga ndryshimet e Kodit Rrugor të cilat do të njoftohen hap pas hapi nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Atyre të cilëve iu skadon tani certifikata e kontrollit teknik të mjeteve nuk kanë përse të shqetësohen pasi sipas DPSHTRR-së me ndryshimet e bëra në kodin rrugor, vlefshmëria e kontrollit të kryer vitin e shkuar, shtyhet edhe me një vit tjetër.
Afërsisht 1/3 e automjeteve në Shqipëri sot qarkullojnë vetëm me vulën e pagesës së taksës së qarkullimit dhe pa formularin e kolaudimit.


