
Profesori universitar dhe diplomati i karrierës dr. Blerim Reka njoftoi sot se do të marrë pjesë si kandidat i pavarur në zgjedhjet për president të Maqedonisë, që do të mbahen më 21 prill.
Njoftimin për pjesëmarrjen në garën presidenciale Reka e bëri përmes Fejsbukut, ku i sqaroi edhe motivet për vendimin që e ka marrë.
“Në pamundësi tu përgjigjem gjitha mediave dhe miqve, përmes këtij njohtimi e bëjë publike kandidaturën time të pavarur për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut; me shpresë se do përkrahet. Janë dy arsye për këtë vendim. E para: vetëm me kanidatët maqedonas, pa asnjë shqiptarë, kjo shoqëri multi-etnike, rrezikon të rrëshqet drejt shtetit monoetnik; e shqiptarët vetëm votues, por jo edhe te votuar. E dyta: vetëm kritikat intelektuale – pa i hyrë përballjes politike – nuk mjaftojnë për ndryshimin e gjendjes. Ato, në FB mbeten virtuale, ndërkaq jeta është megjithatë reale. Fundja, historinë e shkruajnë shtetarët; intelektualët vetëm shkruajnë për historinë”, ka shkruar Reka.
Megjithëse do të dalë në zgjedhje si i pavarur, është shumë e pritshme se Reka do të ketë përkrahjen të paktën të partive opozitare shqiptare, aq më tepër që këto ditë, siç ka njoftuar Expressi, ai u pa me liderët e Lëvizjes Besa dhe Alternativës për Shqiptarët, Bilall Kasamin dhe Zijadin Selën.
Tani mbetet të shihet se a do ta ketë Reka, si garues, me gjasë, i vetëm shqiptar në këto zgjedhje përkrahjen edhe të subjekteve tjera shqiptare. Kjo, sidomos pasi që Ali Ahmeti, lideri i partisë më të madhe shqiptare në vend, Bashkimit Demokratik për Integrim, mbrëmë deklaroi se do ta përkrahë kandidatin që do ta zgjedhë partneri i koalicionit qeveritar, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë e kryeministrit Zoran Zaev.
Blerim Reka ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, vite më parë, ndërsa ka qenë edhe ambasador i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Po ashtu, ai është profesor i rregullt në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Universitetin e Prishtinës.
Ai ditë më parë ka thënë se shqiptari vështirë i fiton votat për president, ndërkohë, sipas tij, maqedonasi vështirë bëhet President pa votat e shqiptarëve.
“Shqiptari, vështirë i fiton votat për President. Maqedonasi, vështirë behet President pa fituar votat shqiptare. Zgjidhja? Vice-President Shqiptar; apo zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi?”, shkroi Reka para pak ditësh.


