
Kongresistet muslimane Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar anëtare të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA kanë reaguar ndaj qeverisë amerikane e cila duke injoruar shkeljet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite vazhdon t’i shesë armë këtij vendi.
SHBA eksportuesja më e madhe e armëve në botë
Në lidhje me këtë çështje Tlaib me orgjinë palestineze dhe Omar me origjinë somaleze kanë bërë disa deklarata në llogaritë e tyre në Twitter.
Talib ka reaguar për shkak të shitjes së armëve ndaj Arabisë Saudite dhe projektligjit të buxhetit për vitin 2020 që Trump ka dërguar në Kongres, i cili ul pagesat për Medicare (sigurimin shëndetësor mbi 65 vjeç) dhe për Medicaid mbështetjen për amerikanët e varfër në kuadër të Obamacare.
“A e mbani mend fjalën e Trumpit se nuk do të ndërpriste Medicare dhe Medicaid? Pikërisht ai atë fjalë nuk e ka mbajtur. Në vend të saj ai ka preferuar Lockheed Martin (Kompani e industrisë së mbrojtjes amerikane) dhe sauditët që dëshironin të blinin armë”, tha Tlaib.
Ndërsa Omar e cila ka postuar deklaratën e Tlaib në llogarinë e saj në Twitter ka thënë: “Arabia Saudite ashtu sikurse është vazhdimisht në renditjen e vendeve që kryejnë më së shumti shkelje të të drejtave të njeriut, është përgjegjëse edhe për urinë dhe epideminë e kolerës në Jemen. Sërish Arabia Saudite është blerësja më e madhe e armëve të prodhuara nga SHBA. Pse Donald Trump zgjedh prodhuesit e armëve në vend që të jetë në anën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut?”.
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) njoftoi javën e kaluar se gjigandit të Mbrojtjes, Lockheed Martin i ka dhënë një tender prej 945 milionë 900 mijë dollarë për prodhimin e “Sistemit të Mbrojtjes Antiraketë – THAAD” në emër të Arabisë Saudite.
Afati i tenderit ka qenë mes datave 28 shkurt 2019 deri në 31 tetor 2026, por u njoftua se Arabia Saudite më 26 nëntor kishte pranuar propozimin prej 15 miliardë dollarësh që SHBA-ja kishte dhënë më parë për 44 sistemet THAAD.
Ndërsa në anën tjetër në median amerikane ishte pretenduar se Qeveria e Arabisë Saudite ka pranuar propozimin e SHBA-ve për sistemin THAAD për të shpëtuar nga presioni i Washingtonit në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.


