![]()
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se 1.6 milionë njerëz kanë marrë pjesë në “Tubimin e Madh të Stambollit” i cili zhvillohet në Stamboll.
“Ndodhemi, jemi mbledhur edhe një herë për Stambollin në Yenikapı me të gjithë vëllezërit e mi që i janë dhënë me zemër Partisë AK dhe Partisë së Lëvizjes Nacionaliste MHP. Me të gjithë ata që kanë besuar Aleancën Popullore. Sipas shifrës zyrtare që kam marrë, në Yenikapı ndodhen 1.6 milionë njerëz”, tha Erdogan gjatë fjalimit të mbajtur në tubimin e madh të Stambollit.
Presidenti Erdogan me aleatin e tij zgjedhor me kreun e Partisë së Lëvizjes Nacionaliste MHP, Devlet Bahçeli mbajtën sot në rajonin Yenikapı të Stambollit një tubim në lidhje me zgjedhjet bashkiake të 31 marsit ku për kreun e Bashkisë kandidon, Binali Yildirim.
Pasi ka rikujtuar se po në sheshin Yenikapı janë mbledhur edhe më parë më 7 gusht menjëherë pas tentativës për grusht shtetit të 15 korrikut, Erdogan tha se “Aleanca popullore nuk është një aleancë që u përket vetëm dy partive por gjithë Turqisë sepse është aleanca e popullit. Pikërisht pse është e tillë ajo sulmohet, ndodhet në objektivin e të gjithëve. Por, janë të kota këto përpjekjve çfarëdo që të bëjnë si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Bashkë me popullin tonë, me lejen e Allahut ne do të vazhdojmë ta mbrojmë deri në kijamet (ditën e gjykimit) Stambollin si një qytet turk, si një qytet islam ku është mbyllur një epokë dhe është hapur një tjetër”.
Po ashtu Erdogan ka folur për projektet dhe punimet që janë kryer dhe planifikohen të zbatohen në Stamboll, ku ai ka theksuar se “Do të ndërtojmë 17 qendra rehabilitimi që do të ofrojnë shërbime për 200 mijë vëllezërit tanë me aftësi të kufizuara në Stamboll. Po ashtu me ‘Luginën e Bioteknologjisë‘ ku do të prodhohen shumë produkte nga antitrupat, vaksinat, e deri tek ilaçet e kimioterapisë do të sigurohet punësim për 20 mijë persona”.


