
Gjermania zgjat me 6 muaj vendimin e saj për të ndaluar eksportet e armëve në Arabinë Saudite.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, në një deklaratë me shkrim ka njoftuar se vendimi në lidhje me ndalimin për shitjen e armëve Arabisë Saudite është zgjatur deri më datën 30 shtator 2019.
Po ashtu në deklaratë thuhet se gjatë kësaj kohe si parim nuk do të miratohen aplikime të reja.
Në Gjermani mes partive në qeveri asaj Kristian-Demokratike (CDU/CSU) dhe Partisë Social Demokratike (SPD) kishte një mosmarrëveshje në lidhje me çështjen për të zgjatur apo jo ndalimin e eksportit të armëve ndaj Arabisë Saudite.
SPD ka kërkuar zgjatjen e ndalimit të eksporteve të armëve ndërsa CDU/CSU bëri të ditur se ishte pro zbutjes së kësaj ndalese.
Qeveria gjermane, e cila vendosi të pezullojë eksportet e armëve për Arabinë Saudite pesë muaj më parë për shkak të vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, së fundmi këtë vendim e kishte zgjatur deri më 31 mars.
Drejtuesit e SPD duke rikujtuar nenin e marrëveshjes së kolaicionit se “nuk mund të kryhet shitje e armëve ndaj atyre që janë palë në luftën e Jemenit” kërkonin të zgjatej ndalesa e eskporteve të armëve ndaj këtij vendi për shkak se Arabia Saudite është palë në këtë luftë.


