
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka pritur në një takim në Shkup, komisarin e Lartë të OSBE-së për pakicat kombëtare, Lamberto Zanier.
Xhaferi, thuhet në një kumtesë të kabinetit të tij, i ka shprehur Zanierit një falënderim të veçantë për kontributin që e jep për avancimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe angazhimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për njësimin e shkallës së përfshirjes dhe integrimit të të gjitha bashkësive etnike që jetojnë këtu.
Xhaferi në takim ka bërë një vështrim të shkurtër edhe për përfaqësimin aktual të të gjitha bashkësive etnike në përbërjen parlamentare dhe për zgjidhjen ligjore me të cilën bashkësitë që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend, të kenë përfaqësuesin e vet në Komitetin për marrëdhënie ndëretnike, me propozim të Avokatit të Popullit.
Sa u takon përcaktimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ai ka informuar se në mars të vitit 2018 u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve, dhe në përputhje me të njëjtin, u themelua Agjencia për përdorimin e gjuhës që e flasin më së paku 20 për qind të qytetarëve dhe pritet edhe themelimi i Inspektoratit për përdorimin e gjuhës.
Kryetari i Kuvendit, Xhaferi ka shprehur kënaqësinë e tij edhe për Rezolutën për ndryshime dhe përmirësimin e pozitës së romëve, që veç më është në procedurë.
Komisari i Lartë Zanier ka vlerësuar lartë rolin e Kuvendit në ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë si dhe perspektivat për në BE dhe NATO, ndërsa ka dhënë edhe përshtypjen e tij të parë se ka një shkallë më të lartë të stabilitetit. Pas takimeve të realizuara me drejtorin e Agjencisë për përdorimin e gjuhës dhe ministrin e Arsimit, konstatoi se këto institucione kanë rol strategjik në përforcimin e procesit të integrimit social.
“Këshillat e tij janë të ndërtohet politikë e qëndrueshme me qasje të balancuar. Duke patur parasysh se OSBE punon në këto çështje në shumë vende, kanë edhe përvojë edhe praktika që mund t’i ndajnë edhe me ne. Komisari Zanier interesohej edhe për Ministrinë e re për Sistem Politik dhe për atë nëse kjo do të tërheqë rregullativë të re ligjore në çka Xhaferi dha sqarim të gjerë për atë se si erdhi deri në themelimin e këtij institucioni të ri dhe se risi për dallim nga dy institucionet paraprake që ridefinohen në këtë organ është në fakt kompetenca ekzekutive”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Kuvendi.
Bashkëbiseduesit biseduan edhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale për të cilat besojnë se do të jenë fer dhe demokratike ndërsa Xhaferi pohoi se për verifikimin e paanshmërisë janë akredituar OSBE dhe ODIHR dhe se janë inkuadruar edhe institucione vendore siç është Enti Shtetëror i Revizionit dhe Komisioni për Luftë Kundër Korrupsionit.


