Maqedonia e Veriut merr një donacion prej rreth 1 milion euro nga Çekia

Mos i humb

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka pranuar donacion në vlerë prej rreth 1 milion euro nga Qeveria e Republikës së Çekisë.

Ministrat e Punëve të Brendshme nga Maqedonia e Veriut dhe Çekia, Oliver Spasovski dhe Jan Hamaçek, sot në Shkup nënshkruan marrëveshjen e cila parasheh avancimin e kapaciteteve tekniko-organizative të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Ministri Spasovski, në konferencën e përbashkët shtypi, e cilësoi këtë marrëveshje si “një tregues i fuqishëm i një partneriteti konkret dhe të sinqertë që kemi me kolegët nga Republika e Çekisë”. Spasovski theksoi se me donacionin e sotëm zgjerohet bashkëpunimi në më shumë segmente të sigurisë nga interesi i përbashkët, me theks të veçantë në problematikën e migrimit.

“Mjetet financiare janë të dedikuara për aktivitetet për përforcimin e kapaciteteve të reparteve për punë kufitare dhe migrime, për luftimin e krimit të organizuar, si dhe për njësitin e aviacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Spasovski.

Ai u shpreh falënderues si për donacionin, ashtu edhe për kontingjentet e policisë së Çekisë të cilat nga viti 2016 janë prezent në kufirin jugor ku e ruajnë vijën kufitare bashkë me policinë e Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Çekisë, Jan Hamaçek, u shpreh i lumtur që Maqedonia e Veriut përparon në rrugën e integrimeve euroatlantike, duke theksuar se Parlamenti i Çekisë në afat sa më të shkurtër do të ratifikojë protokollin për anëtarësim të vendit në NATO.

Hamaçek theksoi se donacioni financiar nuk është një situatë e rastësishme, duke shtuar se vendi i tij e ndihmon Maqedoninë e Veriut që nga viti 2016.

“Republika e Çekisë nga viti 2016 ka bërë donacione për vendin tuaj në vlerë rreth 4 milionë eurosh. Ju siguroj se kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Hamaçek, duke shtuar se ky donacion është argument konkret për mbështetjen e dhënë.

Dy ministrat thanë se pas përfundimit të konferencës për media, do të vizitojnë kontingjentin e policisë së Çekisë që gjendet në kufirin jugor të Maqedonisë së Veriut.

Gjatë krizës së emigrantëve në vitin 2016, kur Maqedonia e Veriut ishte pjesë e “Rrugës Ballkanike”, në kufirin jugor të vendit gjenden kontingjente të policisë nga disa vende, përfshirë këtu edhe nga Çekia. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe Maqedonia e Veriut ka pranuar edhe donacione të ndryshme për forcat e sigurisë, si në pajisje, ashtu edhe në mjete financiare.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit