Prishtinë, diskutohet kuadri kushtetues i procesit të dialogut Kosovë-Serbi

Mos i humb

Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, është organizuar tryezë e titulluar “Kuadri Kushtetues i Procesit të Dialogut Kosovë-Serbi”.

Në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), ku u diskutua nevoja për një përfaqësim më të gjerë politik në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe për rreziqet e idesë së “korrigjimit të kufijve me Serbinë”.

Taulant Kryeziu, nga EPIK tha se për të qenë Ekipi Negociator në përputhje me Kushtetutën, i duhen 80 vota për t’u votuar në Kuvend. Po me kaq vota në Kuvend sipas tij duhet të kalojnë edhe hapat tjerë të këtij procesi.

“Do të jetë shumë vështirë, që me një shumicë të brishtë e cila nuk kalon 60 vota, apo mund të jenë deri në 61, të merret me një detyrim ndërkombëtar për një çështje që është shumë me rëndësi, që ka të bëjë me sovranitet nacional dhe integritet territorial dhe se si do të jetësohet ajo kur ne kemi afërsisht 50 deputet shqiptarë të cilët nuk janë pjesë e këtij procesi”, tha Kryeziu duke e quajtur si të pafalshme, “çdo marrëveshje që prek territorin e Kosovës”.

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha se “copëtimi i Kosovës nuk do të zgjidhte asgjë”, kjo ngase sipas tij copëtimi edhe historikisht vetëm ka komplikuar marrëdhëniet mes popujve.

Hasani duke e krahasuar rastin e Kosovës me atë të Maqedonisë së Veriut, tha ato janë në tërësi raste të ndryshme. Në rastin e kësaj të fundit u kontestua emri gjë që siç tha ai, nuk përbën element përbërës të shtetit. Ndërsa sipas tij në Kosovë po kontestohet elementi përbërës i shtetit, territori.

“Infrastruktura ligjore dhe organizative e procesit të dialogut ka dalë jashtë binarëve kushtetues ashtu siç nisi në vitin 2011. Kjo duhet kthyer prapa ashtu që çdo gjë të ecë në rrugë kushtetuese dhe sipas standardeve ndërkombëtare për krijimin e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet shteteve sovrane dhe të pavarura që për objekt kanë territorin dhe sovranitetin nacional”, tha Hasani.

Analisti politik dhe profesori universitar Belul Beqaj, tha se duhet që në vend të “copëtimit”, të promovohet dhe ofrohet një zgjidhje evropiane, me sundim të ligjit, zbatim të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, etj.

“Me rastin e idesë së korrigjimit apo të ndarjes, kemi një çakordim, të vullnetit politik, të faktorëve politikë që shprehin vullnetin politik në mbrojtje të Kushtetutës dhe kryetarit që pretendon ta imponojë vullnetin personal në emër të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës në njërën anë dhe faktorëve të jashtëm në anën tjetër”, tha Beqaj.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se kërkesë e tyre ka qenë që në dialogun me Serbinë, Kuvendi të ketë rol qendror. Ajo thotë se në vazhdimësi kanë kërkuar konsensus të gjerë, duke parë që shumica e marrëveshjeve të kaluara nuk ishin zbatuar.

Ekipi Negociator i formuar në shtator të vitit të kaluar ka lënë jashtë dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjen. Atë e udhëheq kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj bashkë më kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmetin.

Aktualisht dialogu mes dy shteteve fqinje është pezulluar nga pala serbe, me kërkesën që Kosova ta heq taksën 100 për qind për produktet serbe që hynë në Kosovë. Ndërsa Kosova i vendosi këtë taksë Serbisë për shkak të, siç kishin thënë zyrtarë të institucioneve të larta të vendit, “antifushatës së Serbisë për Kosovën”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit