
Shoqëria civile ka kërkuar që Kuvendi të miraton Projektligji për Financimin e Partive Politike, ndërsa kjo kërkesë sot është shoqëruar me protesta para Kuvendit.
Ndaj kërkesës së Shoqërisë Civile, ka reaguar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili kërkon tërheqjen e projektligjit.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Pas shqetësimeve të ngritura nga Shoqëria Civile sa i përket ndryshimeve që i janë bërë Projektligjit për Financimin e Partive Politike, gjatë punës në Komisionet Parlamentare, kam propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës të merret vendim për tërheqjen e këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës. Duke e ditur rëndësinë që ka ky Projektligj, për zhvillimin e demokracisë në vend, nevojës së transparencës në funksion të politikbërjes dhe përfshirjes së të gjitha palëve në krijimin e tij, tërheqja e projektligjit dhe ridërgimi i tij, me bazë të mirë ligjore dhe demokratike, është veprim i duhur!


