“Emri kryesor në vrasjen e Khashoggit nuk po gjykohet”

Mos i humb

Raporti i përgatitur nga OKB-ja për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi konfirmon se në çështjen gjyqësore të zhvilluar në Arabinë Saudite për vrasjen e Khashoggit, nuk është gjykuar emri më i rëndësishëm i planit të vrasjes Suud el-Kahtani ish-këshilltar i princit të kurorës bin Selman dhe një numër i madh i njerëzve në ekipin e ekzekutimit.

Prokuroria e Arabisë Saudite ka njoftuar publikisht se 11 të pandehurit që ishin përfshirë në vrasje ishin paraqitur para gjyqtarit për herë të parë në Rijad më 3 janar 2019, por nuk ka publikuar emrat e tyre.

Ndërkohë Raportuesja e posaçme e OKB-së për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Agnes Callamard, në raportin e saj që ka përgatitur në lidhje me vrasjen dhe të cilin e ka njoftuar ditë më parë ka publikuar këto emra pas përpilimeve të kryera me informacionet që ka marrë nga burimet pjesëmarrëse në gjyqe.

Sipas kësaj 11 emrat që janë në gjykimin e zhvilluar në Rijad janë:

“Fahd Shebib A. el-Belevi, Turki Musherref el-Shehri, Velid Abdullah M. el-Shehri, Mahir Abdulaziz M. Mutreb, Salah Muhammed Abduh el-Tubeyki, Mensur Osman M. Aba Husejin, Muhammed Saad H. el-Zahrani, Mustafa Muhammed el-Medeni, Seyf Saad K. el-Kahtani, Ahmed Muhammed Asiri dhe Muflih Shaja el-Muslih”.

Këta persona përveç ish-zëvendës shefit të inteligjencës saudite, Ahmed al-Asiri dhe Muflih Shaja el-Muslih i cili pretendohet se është punonjës i konsullatës, thuhet se janë pjesë e ekipit të ekzekutimit prej 15 personash të cilët shkuan në Stamboll për të vrarë gazetarin Khashoggi.

– Në listë nuk ndodhet Kahtani, emri kryesor i vrasjes

Tërheq vëmendjen se Suud el-Kahtani, ish-këshilltari i princit të kurorës së Arabisë Saudite, bin Selman nuk ndodhet në listën e 11 personave të cilësuar si të dyshuar që po gjykohen në Arabinë Saudite për vrasjen.

Rreth Kahtanit dihet se ai i ka thënë ekipit ekzekutues të Khashoggit “Më sillni kokën e atij qeni”, ndërsa në shtypin ndërkombëtar janë paraqitur shumë lajme se ai ka kontrolluar ekipin ekzekutues të dërguar në Stamboll dhe se në të njëjtën kohë ka qenë në kontakt të drejtpërdrejt me liderin e ekipit në Stamboll.

Pas shpërthimit të skandalit të vrasjes, Kahtani u largua nga detyra dhe ndaj tij u vendos ndalesa për largim nga vendi. Ndërkohë edhe Prokuroria e Stambollit ka nxjerrë një urdhër arresti ndaj tij me akuzën “planifikim, vrasje me qëllim me ndjenja monstruoze duke shkaktuar vuajtje”.

– Nuk janë në gjykim kryekonsulli al-Otaibi dhe 6 persona nga ekipi i ekzekutimit

Gjithashtu tërheq vëmendjen që në gjykimin e zhvilluar në Rijad nuk ndodhet as edhe ish-konsulli saudit i Stambollit, Mohammed al-Otaibi i cili ka bërë përgatitjen për ekipin ekzekutues të ardhur nga Rijadi para vrasjes dhe i cili gjithashtu ka gisht në planifikimin dhe përpunimin e vrasjes.

Institucionet turke të sigurisë kanë përcaktuar se Otaibi ishte përfshirë në trafikun e veprimeve mes ndërtesës së Konsullatës së Përgjithshme dhe vendbanimit të tij gjatë vrasjes së Khashoggit dhe kjo situatë u reflektua në raportin e OKB-së.

Sipas raportit të OKB-së, autoritetet saudite nuk kanë ndjekur penalisht Naif Hassan S. al-Arifi, Abdulaziz Muhammed M. al-Hawsawi, Khalid Aedh G. al-Taibi, Meshal Saad M. al-Bostani, Galib T. al-Harbi dhe Bedr Lafi M. al-Otaibi të cilët kanë qenë nga ekipi ekzekutues prej 15 personash.

Gjatë seancave në Arabinë Saudite, ka tërhequr vëmendjen se avokatët e të akuzuarve kanë vënë theksin se klientët e tyre janë nëpunës publikë dhe se “nuk mund të kundërshtojnë urdhrat e eprorëve të tyre”.

Në raportin e OKB-së shpeshherë përmenden shqetësimet rreth procesit gjyqësor në Arabinë Saudite.

“Gjykimi që zhvillohet në Arabinë Saudite nuk do të sigurojë llogaridhënie të besueshme”, thuhet në raportin ku është bërë vlerësimi se procesi gjyqësor në lidhje me vrasjen nuk është i besueshëm.

Gjithashtu në raport, Raportuesja e posaçme, Callamard, i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres që të nisë një hetim plotësues kriminal për vrasjen e Khashoggit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit