“OKB e paralizuar për atë që duhet bërë lidhur me vrasjen e Khashoggit”

Mos i humb

Raportuesja e posaçme e OKB-së, Agnes Callamard e cila heton vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi deklaroi se “OKB-ja është në një situatë të paralizuar për atë që duhet bërë në lidhje me vrasjen e Khashoggit”.

Raportuesja e posaçme e OKB-së për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Callamard ka mbajtur një fjalim në Institutin Brookings me qendër në Washington, ku ka folur lidhur me vrasjen e Khashoggit.

“Vrasja është kryer në përputhje me informacionet dhe udhëzimet nga vetë qeveria e Arabisë Saudite dhe jo sikurse pretendohet për arsye ‘personale dhe private'”, tha Callamard, e cila ka shtuar se ka shumë prova në këtë drejtim.

Pasi bëri të ditur se vrasja është planifikuar të paktën 48 orë përpara dhe se zyrtarët sauditë që kanë kryer vrasjen kanë mbërritur në Turqi me burimet e siguruara nga vendi i tyre, ajo tha se “Në Turqi kanë ardhur me avion jet privat dhe kanë hyrë me pasaporta diplomatike. Ashtu sikurse kanë kryer vrasjen, janë përpjekur të eliminojnë të gjitha provat”.

“Më e rëndësishme është që përqendrimi të bëhet mbi qeverinë saudite”

Callamard tha se ka prova për lidhjen direkte të princit saudit Muhammed bin Selman me vrasjen, por është më e rëndësishme që në lidhje me vrasjen përqendrimi të bëhet mbi qeverinë saudite. “Princi i Kurorës Saudite ka një lidhje të drejtpërdrejt me vrasjen, por në raport nuk jam përqendruar vetëm mbi këtë. Çështja kryesore është se më shumë se individët prapa kësaj ndodhet qeveria saudite. Kjo është më e rëndësishme kur marrim parasysh arrestimet e politikanëve dhe aktivistëve në vend”, thekson ajo.

Pas një pyetjeje në lidhje me rolin e princit bin Selman në vrasje, Callamard tha se nuk e ka injoruar këtë dhe se ndaj tij duhet të zbatohet një sanksion i drejtpërdrejt.

“OKB në një situatë të paralizuar”

Sipas saj, shumë vende në fjalë, përfshirë edhe OKB-në nuk i kanë kushtuar rëndësi të mjaftueshme vrasjes në fjalë. “OKB-ja është në një situatë të paralizuar për atë që duhet bërë në lidhje me vrasjen e Khashoggit. Në kohën kur kam prezantuar raportin filluan tensionet me Iranin. Kjo e bëri më të vështirë qëndrimin mbi këtë çështje. Shumë vende nuk kanë bërë asgjë në lidhje me vrasjen dhe kanë dashur të vazhdojnë rrugën sikur nuk ka ndodhur kurrë. Kjo vrasje nuk do të shkojë askund. Gazetarët, individët dhe unë nuk do të reshtim së ndjekuri këtë. Ne nuk mund të lejojmë që qeveria saudite të shpëtojë nga kjo”.

“Duhet të ndalohet shitja e programit spiun”

Callamard thotë se qeveria saudite po ndjek jashtë vendit shtetasit e saj që janë opozitë ndaj saj duke përdorur programe spiunë dhe u bëri thirrje kompanive të teknologjisë që të ndalojnë shitjen e programeve të përmendura ndaj Arabisë Saudite.

“Nëpërmjet këtyre programeve qeveria saudite ndjek qytetarët e saj politikanë, aktivistë dhe gazetarët opozitarë ndaj saj. Ndalimi i këtyre programeve mund të parandalojë vrasjet e mëtejshme”, nënvizon Callamard.

Raporti u publikua javën e kaluar

Gazetari saudit Jamal Khashoggi u vra më 2 tetor 2018 në kryekonsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ndërsa qeveria e SHBA-ve menjëherë pas vrasjes pretendoi se princi saudit Muhammed bin Selman nuk kishte lidhje me vrasjen.

Callamard, e cila prej disa muajsh zhvillon hetime në lidhje me vrasjen e Khashoggit, javën e kalur e publikoi raportin i cili përfshin provat e gjetura dhe rekomandimet.

Në një deklaratë për AA në lidhje me raportin, Callamard tha se “Para së gjithash, vrasja (e Khashoggit) është më shumë se një vrasje ndërkombëtare. Në vrasje janë shkelur shumë ligje ndërkombëtare. Vrasja ka shkaktuar dëme të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare, prandaj është e rëndësishme që KS i OKB-së ta marrë seriozisht këtë vrasje”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit