
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar se si vend anëtar i ardhshëm i NATO-s, Maqedonia e Veriut synon të jetë anëtare e denjë e Aleancës Veriatlantike.
Zaev mori pjesë në ngjarjen “Digjitalizimi i sistemit të menaxhimit me kriza”, implementimi i të cilit financohet nga NATO. Në këtë ngjarje i pranishëm ishte zv/sekretari i përgjithshëm i NATO-s për sfida të reja të sigurisë, Antonio Missiroli, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, si dhe përfaqësues të shumtë të institucioneve nga të dyja palët.
Zaev rikujtoi se para një muaji në Shkup qëndroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është e gatshme të zbatojë të gjitha reformat dhe modernizimet e nevojshme për anëtarësim në NATO.
“Ne, dua ta theksoj që në fillim, se si vend anëtar i 30-të, jemi serioz në synimin për t’u bërë anëtar i denjë, me atë që me ndihmën dhe mbështetjen tuaj në mënyrë të përgjegjshme jemi në hap edhe me sistemet më të reja dhe më bashkëkohore të sigurisë”, tha Zaev, duke shprehur bindjen se procesi i anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në NATO do të përfundojë këtë vit.
Zv/sekretari i NATO-s, Antonio Missiroli, tha se nënshkrimi i protokollit për anëtarësim në muajin shkurt ishte një ngjarje historike, duke përshëndetur hapat e ndërmarrë nga Maqedonia e Veriut drejt anëtarësimit të plotë në NATO.
“Ne të gjithë presim t’u dëshirojmë mirëseardhje si anëtar i 30-të i aleancës sonë, mundësisht dhe me shpresë veçse në samitin e përvjetorit të 70-të që është planifikuar të mbahet në Londër në fillim të dhjetorit”, tha Missiroli.
Ai gjithashtu shprehu mbështetjen e plotë të NATO-s për Maqedoninë e Veriut në zbatimin e reformave, duke bërë thirrje që vendi të shfrytëzojë sa më shumë programet e NATO-s që mbështetin përpjekjet për reforma.
Gjatë prezantimit, u tha se digjitalizimi i sistemit të menaxhimit me kriza përmes zbatimit të Sistemit të Komandimit të Incidenteve të gjeneratës së re (NICS), mundëson komunikim më të lehtë të institucioneve të ndyshme në kohë të fatkeqësive natyrore, ndërsa i njëjti është pjesë e programit të NATO-s të quajtur Programi për Paqe dhe Siguri (SPS).


