Dështon Këshilli i Sigurimit të OKB-së në dënimin e sulmeve ajrore në Libi

Mos i humb

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) ka dështuar të dënojë sulmin e fundit ajror në Libi për shkak se SHBA nuk mbështeti tekstin e deklaratës, thonë burimet e ndryshme.

Këshilli u mblodh pas dyerve të mbyllura për dy orë për të diskutuar mbi sulmin i cili ndodhi të martën ndaj një qendre të paraburgimit të emigrantëve në Tajoura, që ndodhet në periferi të kryeqytetit Tripoli. Në sulm u vranë 44 njerëz ndërsa u lënduan 130 të tjerë.

Mbledhja emergjente u thirr nga Peru, që ka presidencën e këshillit në muajin korrik.

Raportohet se Mbretëria e Bashkuar përpiloi një deklaratë e cila dënonte sulmet dhe bënte thirrje për armëpushim dhe rikthim në bisedime politike.

Mirëpo, burimet thonë se diplomatët amerikanë nuk e miratuan deklaratën, duke thënë se u nevojitet “dritë jeshile” nga Washingtoni për të aprovuar tekstin e deklaratës.

Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli për sulmin akuzoi forcat e komandantit Khalifa Haftar.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ai ishte i zemëruar nga shkaku i sulmit dhe bëri thirrje për hetim të pavarur.

Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi sulmin, por nuk bëri thirrje për armëpushim.

Në fillim të muajit prill, Haftar, i cili komandon forcat besnike të një qeveria rivale me seli në Libinë Lindore, nisi një ofensivë ushtarake për të pushtuar kryeqytetin Tripoli. Mirëpo, forcat e tij dështuan të arrijnë synimet fillestare, edhe pse morën disa qyteza strategjike në afërsi.

Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.

Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në lindje të vendit, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit