
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një vizitë pune në Komunën e Vushtrrisë, ku është pritur nga kryetari i kësaj Komune, Xhafer Tahiri.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, theksoi se i ka bërë përshtypje një punë vërtetë e kujdesshme e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri i cili siç tha kryeministri është i fokusuar në punë, në tema që janë në interes të qytetarëve të Vushtrrisë.
“E vërteta është se niveli qendror ka mundur të bëjë më shumë për Vushtrrinë dhe përkundër faktit që i kemi ndërmarr disa veprime, duke iu përgjigjur interesave të qytetarëve të Vushtrrisë. I kemi edhe disa ngecje, i diskutuam ato ngecje siç është p.sh. kyçja individuale për ujë të pijes. Janë po ashtu disa projekte të tjera për të cilat do të bëjmë përpjekje që të zëmë kohën e mbetur të këtij viti”, tha kryeministri Haradinaj.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Haradinaj, deklaroi se me kryetarin Tahiri kanë biseduar edhe për intensifikimin e punëve dhe temave që janë në interes për qytetarët, si stacioni i autobusëve, si nevojë urgjente e kësaj komune, duke thënë se ekziston një mundësi për t’ia dhënë Komunës së Vushtrrisë në shfrytëzim një pronë që dikur ka qenë e komunës dhe në këtë mënyrë të zgjidhen disa probleme, për disa dekada dhe të krijohet një bazë e zhvillimit.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se si komunë, kanë një bashkëpunim shumë të mirë me Qeverinë e Kosovës, duke shprehur mirënjohjen për Kryeministrin për punët që janë bërë në këtë komunë.
“Diskutuam edhe për shumë projekte për periudhën në vijim, për të cilat morëm mbështetjen nga Kryeministri, që do të vazhdohen me një intensitet”, tha kryetari Tahiri, duke shtuar se Qeveria e Kosovës po vazhdon investimet në Parkun e Biznesit në Lum të Madh, një zonë ekonomike kjo shumë moderne, që do të krijojë mundësi punësimi.
Kryeministri Haradinaj më pas zhvilloi edhe një takim me komunitetin e biznesit të Komunës së Vushtrrisë, ku pas këtij takimi, në fjalën e tij para mediave tha se i kanë marrë kërkesat dhe vlerësimet e sipërmarrësve dhe se bashkërisht zhvilluan një bisedë të mirë me ta, duke theksuar se janë marrë disa porosi dhe e mira e gjithë kësaj është se prodhimi është rritur në mënyrë të konsiderueshme. “Për të avancuar dhe për të qenë konkurrent me rajonin, lirimi prej taksës së derivateve për bujqësi është e nevojshme dhe do të punojmë në këtë drejtim, por edhe sigurimi i kulturave bujqësore është shumë me interes dhe e kemi marrë këtë porosi që t’a trajtojmë me kujdes”, tha kryeministri.
Pronari i kompanisë Pestova-Vipa Chips, Bedri Kasumi, falënderoi kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin Xhafer Tahiri për vizitën e sotme që të njoftohen me të arriturat, sfidat por edhe kërkesat që ata i kanë ndaj Qeverisë për të ardhmen./Kosova Post


