Kongresmeni Engel: Serbia duhet ta njohë Kosovën

Mos i humb

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në vazhdën e takimeve me personalitete të njohura të politikës amerikane është pritur sot në një takim në Washington nga kongresmeni Eliot Engel.

Siç njofton Kuvendi i Kosovës, gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin midis Kosovës dhe SHBA-ve, për zhvillimet politike në Kosovë, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, mbështetjen amerikane në këtë proces, si dhe perspektivën euro-atlantike të vendit.

Kryeparlamentari Veseli, njofton Kuvendi i Kosovës, falënderoi SHBA-të, popullin amerikan, si dhe kongresmenin Engel për angazhimin e tij të gjatë prej disa dekadash në mbështetje të Kosovës.

Kongresmeni Engel, nga ana e tij, tha se SHBA do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset që ajo ka para vetes.

“Engel tha se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe të punojë bashkë me Kosovën në proceset euro-integruese. Ai po ashtu tha se Serbia duhet ta njoh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, njofton komunikata.

Në këtë takim, Veseli dhe Engel folën edhe për nismën e kryeparlamentarit kosovar për dënimin e gjenocidit dhe krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë.

Engel tha se kriminelët duhet të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet që kanë kryer ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Veseli ka udhëtuar të dielën për në SHBA me ftesë të Kongresit Amerikan, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të rëndësishëm amerikan. Bashkë me Veselin, në këtë vizitë zyrtare po marrin pjesë edhe deputetja nga “Alternativa”, Mimoza Kusari-Lila dhe Avdulla Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit