
Arkeologët izraelitë njoftuan zbulimin e rrënojave të një xhamie të vjetër mbi 1.200 vjeçare gjatë gërmimeve arkeologjike të fundit në shkretëtirën Negev në jug të Izraelit.
Sipas Autoritetit Antik të Izraelit (IAA), xhamia e zbuluar në qytetin arab Rahat konsiderohet si një nga xhamitë më të vjetra në botë.
“Një xhami e vogël rurale, e datuar nga shekulli i shtatë deri në shekullin e tetë të erës sonë, është një zbulim i rrallë kudo në Lindjen e Mesme dhe në përgjithësi në botë, veçanërisht në zona në veri të Beersheba-s ku një ndërtesë e ngjashme nuk është zbuluar deri më tani”, tha Shahar Zur, bashkë-drejtor i gërmimeve të IAA-së.
“Gjatë kësaj epoke ishin ndërtuar xhamitë e mëdha në Mekë dhe në Kuds, por këtu ekziston një dëshmi e një xhamie të lashtë që me sa duket ishte përdorur nga fermerët lokalë”, shtoi ai.
Përveç xhamisë, poashtu u zbuluan mbetje të tjera të ndërtesave të mëdha. Strukturat kishin sektore të ndara për qëllimeve të ndryshme, përfshirë dhoma të jetesës, oborre të hapura, hapësira të maganizimit dhe përgatitjes së ushqimit si dhe furra të hapura.
Gideon Avni, një ekspert i IAA-së, nga ana e tij tha se kjo është një nga “xhamitë më të vjetra të njohura që nga ardhja e Islamit pas pushtimit arab të vitit 636”.
“Zbulimi i një xhamie pranë një vendbanimi buqësor midis Beersheba-s dhe Ashkelon-it po ashtu tregon për proceset e ndryshimeve të kulturave dhe feve që vendi i ka pësuar gjatë tranzicionit nga Bizanti deri në periudhën e hershme islame”, tha Avni.


