![]()
Manastiri madhështor Sumela në provincën e Trabzonit në Turqi synon të mirëpresë një total prej 500.000 turistësh vendas dhe të huaj këtë vit, tha kreu provincial i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Ali Ayvazoglu.
Ayvazoğlu tha për AA se kompleksi monastik, i ndërtuar mbi një shkëmb të pjerrët në një lartësi prej 1.200 metrash në Parkun Kombëtar Altındere, ka pritur rreth 50.000 turistë deri në muajin e kaluar pasi u hap për vizitorët më 25 maj pas një restaurimi tre-vjeçar.
Manastiri, i cili gjendet në distriktin Maçka të Trabzonit, është një vend me rëndësi historike dhe kulturore, si dhe një atraksion kryesor turistik. Ai u vendos në listën e përkohshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2000.
Manastiri u rihap gjithashtu për përdorim fetar më 15 gusht 2010 me lejen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, pas një ndërprerje 88-vjeçare.
Restaurimi dhe planifikimi mjedisor i Manastirit Sumela u nis në shkurt të vitit 2016.
Manastiri në shkëmb tërhoqi vëmendjen e turistëve të huaj dhe vendas, pavarësisht se ishte i mbyllur për t’u vizituar për shkak të punëve të restaurimit, tha Ayvazoğlu, duke shtuar se gati 290.000 turistë u pritën në vitin 2018.
“Siç ka njoftuar edhe më herët Ministria e Kulturës dhe Turizmit, ne planifikojmë që Manastirin Sumela ta hapim në tërësi në vitin 2020”, tha Ayvazoğlu.
Sipas uebfaqes së UNESCO-s, ndërtimi i manastirit kishte filluar në vitin 385 të erës sonë.


