
Qindra protestues janë mbledhur sot para Konsullatës Britanike në Hong Kong, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare në fushatën e tyre disa mujore për reforma demokratike në territorin gjysmë-autonom kinez.
Duke valëvitur flamuj britanikë, këndonin “Zot ruajeni mbretëreshën” dhe brohoritën “Britani e Madhe shpëto Hong Kongun”.
Protestuesit kërkuan nga ish-sunduesi kolonialist që të ushtrojë presion ndaj Kinës për të respektuar detyrimet e saj ndaj lirive të garantuara të këtij territori kinez. Ata kërkojnë që Britania e Madhe të ndërmarrë masa për shkak se Kina nuk respekton deklaratën kinezo-britanike të vitit 1994, me të cilën definohet e ardhmja e Hong Kongut pas kthimit nën pushtetin kinez në vitin 1997.
Ata mbajtën tubime të ngjashme edhe në fillim të këtij muaji në objektin britanik, si dhe fundjavën e kaluar në Konsullatën e SHBA-ve.
Protestat u nxitën në qershor nga draft-ligji për ekstradim të cilin shumë e panë si shembull të ndërhyrjes në rritje të Kinës dhe një heqje dorë nga liritë e Hong Kongut.


