
Ministri i Transportit të Jemenit akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe se kanë lidhje me organizatat terroriste Al-Kaeda dhe DEASH në jug të vendit të tij.
“Ne kemi prova me emra që kanë të bëjnë për lidhjet midis Emirateve të Bashkuara Arabe me Al-Kaedën”, tha ministri jemenas i Transportit, Saleh al-Jabwani në një postim në Twitter.
“Emiratet e Bashkuara Arabe i përdorin këto organizata terroriste për të goditur ushtrinë jemenase në provincat Shabwa dhe Abyan”, shtoi al-Jabwani.
Ai u bëri thirrje fiseve në provinca të përcaktojnë pozicionin e tyre në lidhje me EBA, përndryshe, ata do të bartin pasojat e mbështetjes së organizatave të krimit.
EBA nuk i është përgjigjur ende këtyre akuzave. Ajo ka mohuar çdo lidhje me grupet terroriste në disa raste më parë.
Arabia Saudite dhe EBA, së bashku me vendet e tjera të koalicionit hynë në luftën e Jemenit në vitin 2015 për të mbështetur qeverinë jemenase dhe për të luftuar grupin rebel Huthi, i cili mori nën kontroll kryeqytetin e Jemenit, Sana që nga viti 2014.
Të dielën, al-Jabwani u bëri thirrje ministrit të Brendshëm jemenas, Ahmed al-Maisari dhe Parlamentit të Jemenit që t’i japin fund rolit të EBA-së në konfliktin në vazhdim në Jemen.
Thirrjet pasuan akuzat kundër EBA-së për mbështetjen e forcave besnike të Këshillit Kalimtar Jugor (STC) që morën kontrollin e Adenit, kryeqytetit të përkohshëm jemenas.
Incidentet shkaktuan gati 300 viktima, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Jemenit.


