
Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) gjatë operacionit “Burimi i Paqes”, ku ajo mbështet Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK), ka dhënë gjithsej 93 dëshmorë dhe 357 ushtarë të tjerë të saj janë plagosur.
Ushtarët e SNA-së vazhdojnë aktivitetet e zbulimit në rajonin e operacionit “Burimi i Paqes” i cili zhvillohet nga Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) me qëllim eliminimin e korridorit të terrorit në kufirin jugor të Turqisë dhe për të sjellë paqe dhe qetësi në rajon.
Në kuadër të punimeve për siguri, SNA vazhdon të neutralizojë një numër të madh të bombave që terroristët i kanë vënë si kurthe, si dhe vazhdon të kontrollojë me kujdes tunelet e përdorura nga organizata terroriste YPG/PKK.
Sipas informacioneve të marra nga zyrtarët, SNA ka dhënë gjithsej 93 dëshmorë prej anëtarëve të saj dhe 357 të plagosur gjatë konflikteve të ashpra që ka zhvilluar me terroristët.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një fjalim të mbajtur më 13 tetor ishte shprehur se “SNA me një luftë guximtare të vërtetë ka treguar suksese të mëdha në pastrimin e organizatës terroriste nga zonat e vendbanimeve”.
Edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, në një vlerësim në tryezën e panelit editorial të AA-së ka theksuar që “Ushtria Kombëtare Siriane ashtu sikurse ka vepruar në operacionet e mëparshme, edhe në këtë operacion ka ofruar kontribute të mëdha”.


