
Sirianët të cilët u strehuan në Turqi kërkojnë të kthehen në vendlindjen e tyre pasi ushtria turke dhe Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) pastruan nga terroristët e YPG/PKK-së rajonet e qyteteve Tal Abyad dhe Ras al-Ayn në veri të Sirisë.
Sirianët, të cilët ikën nga shtypja e terroristëve të YPG/PKK-së, shpresojnë të kthehen në shtëpitë e tyre, të vendosura vetëm disa qindra metra larg kufirit turk.
30-vjeçari Ahmet Sari, i cili erdhi nga Ras al-Ayn dhe ishte trajner në një palestër atje, po qëndron në rrethin Ceylanpınar të provincës Şanlıurfa në Turqi. Ai u strehua në Turqi së bashku me dy fëmijët e tij kur terroristët morën nën kontroll qytetin e tij të lindjes.
“Kishte konflikte të armatosura. Unë kam dy fëmijë. Një nga arsyet e para që erdha në Turqi ishin jeta dhe e ardhmja e fëmijëve të mi”, tha Sari.
Ai që shtatë vite jeton në Ceylanpınar dhe punon si kuzhinier në një kafene.
“Nëna dhe babai im janë akoma në Ras al-Ayn, dëgjohemi në telefon me ato. Më mungojnë shumë prindërit dhe më mungon edhe puna ime dhe praktikantët që ishin pjesë e jetës sime. Do të doja të kthehesha në atdheun tim pas shtatë vitesh nëse përleshjet përfundojnë atje”, tha Sari.
Duke theksuar se nuk e kanë parë situatën atje, por duke shprehur shpresë se do të jetë mirë, Sari theksoi se “po vijnë ditë të mira”.
Shtypja nga terroristët e YPG/PKK-së
Yasin Islmail Halaf, një tjetër sirian që ka qëndruar në Turqi së bashku me nëntë anëtarët e familjes së tij për më shumë se katër vite, tha se terroristët e YPG/PKK-së ushtruan shtypje ndaj tyre dhe i detyruan të largohen nga vendi.
“Unë e di se ata (terroristët e YPG/PKK-së) ishin trajnuar për spastrim etnik të arabëve në Tal AByad dhe i detyruan ata të largohen. Ata mbyllën të gjitha rrugët tregtare, ndërprenë mundësinë e punës, ata i lanë njerëzit të uritur dhe i detyruan të largohen nga vendi”, tha Sari.
“I jam mirënjohës presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ushtrisë turke dhe Ushtrisë Kombëtare Siriane”, tha Sari, duke shtuar se, “Kemi paketuar gjërat tona, pasi Turqia thotë se zonat janë të sigurta. Ne do të kthehemi në shtëpitë tona”.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat me qëllim për të siguruar kufijtë e Turqisë, për të ndihmuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe për të garantuar integritetin territorial të Sirisë.
Më 17 tetor, Ankaraja u pajtua me Washingtonin për të pauzuar operacionin e saj për të lejuar terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen nga zona e sigurtë e planifikuar.
Më 22 tetor, presidenti Erdoğan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, zhvilluan një takim në qytetin bregdetar rus Soçi, disa orë para se të përfundonte pauzimi i operacionit.
Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas së cilës terroristët e YPG/PKK-së brenda 150 orëve do të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me veriun e Sirisë dhe forcat e sigurisë turke dhe ruse do të kryejnë patrullime të përbashkëta atje.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.


