Spanjë, socialistët dhe Podemos synojnë koalicion qeveritar

Mos i humb

Duke u përballur me rrethana të ndryshuara me rritjen e ekstremit të djathtë në Parlamentin e Spanjës, dy partitë e majta, socialistët dhe Unidas Podemos kanë nënshkruar një marrëveshje befasuese për të formuar një qeveri progresive dy ditë pas zgjedhjeve.

“Spanjollët kanë folur dhe është përgjegjësia jonë që të veprojmë për t’i dhënë fund bllokadës politike”, tha Pedro Sanchez, kryeministri i përkohshëm i Spanjës dhe kreu i partisë Socialiste.

Kjo ndodhi papritur pasi Sanchez kishte refuzuar angazhimin për një koalicion qeveritar me grupin politik të ekstremit të majtë në zgjedhjet nacionale të së dielës.

Dy partitë gjithashtu kishin mundësinë që të formojnë qeveri pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në muajin prill, mirëpo ata nuk arritën marrëveshje. Dështimi për të arritur marrëveshje shkaktoi zgjedhjet e vikendit të kaluar, të katërtat në katër vitet e fundit.

Në zgjedhjet e muajit prill, Podemos dhe socialistët fituan më shumë ulëse se sa fituan në zgjedhjet e së dielës. Bashkë, dy partitë humbën 10 ulëse në Parlament, ndërsa partia Vox e ekstremit të djathtë fitoi 52 ulëse, që është më shumë se dyfishi i ulëseve që i fitoi në prill.

“Ajo që ishte mundësi historike në prill u bë emergjencë historike pas së dielës”, tha Pablo Iglesias, lideri i partisë Podemos, duke iu referuar rritjes së madhe të ekstremit të djathtë në zgjedhjet e së dielës dhe pas disa viteve të paqëndrueshmërisë politike.

Dy partitë që tani së bashku kanë 155 ulëse në Parlament, duhet të lidhin bashkëpunim me partitë tjera për të formuar qeverinë. Në Parlamentin spanjoll, nevojiten 176 ulëse për shumicë absolute. Megjithatë, me abstenime, koalicioni mund të formojë një qeveri me shumicë të thjeshtë.

Ka gjithsej 16 parti politike që aktualisht janë të përfaqësuara në parlament, shumica prej të cilëve janë nacionalistë. Koalicioni progresiv tani duhet të joshë disa prej tyre që të fitojë mbështetje të mjaftueshme, mirëpo kjo nuk do të jetë një detyrë e thjeshtë.

“Edhe një herë, matematika nuk përputhet. Është interesante se si ata mendojnë se do të betohen”, shkroi në Twitter Marcos de Quinto, një politikan nga partia Ciudadanos.

Alberto Nunez Feijoo, një përfaqësues i partisë Popullore, akuzoi Sanchezin për mashtrim, për formim kaq të shpejtë të koalicionit me të majtën ekstreme.

“Socialistët janë duke përqafuar komunizmin bolivarian dhe aleatët e grushtit të shtetit,” shkroi në Twitter Santiago Abascal, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Vox, duke iu referuar separatistëve katalanë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit