“Që të jetë efikas, mini-Shengeni t’i përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”

Mos i humb

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, mbajti fjalim para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të pushtetit ekzekutiv të udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, drejtues të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, udhëheqës fetarë, si dhe ambasadorë të huaj.

Në fjalimin vjetor në parlament, presidenti Pendarovski foli për disa çështje të brendshme, si dhe për çështje rajonale dhe ndërkombëtare.

Ai theksoi se ndarjet midis qytetarëve janë akoma të thella, si për nga përkatësia etnike, ashtu edhe nga përkatësia partiake, por edhe ndarjet brenda-maqedonase, duke shtuar se ai po përpiqet të japë një kontribut konkret duke propozuar modele për të arritur një konsensus më të gjerë shtetëror.

Presidenti foli edhe për mendimin e Komisionit të Venedikut për Ligjin e Gjuhëve, për të cilin ai tha se është “lexuar vetëm nëpërmjet dioptrisë politike dhe etnike”. Ai gjithashtu theksoi gjendjen në sistemin e drejtësisë, duke thënë se “perceptimi i përgjithshëm te qytetarët është se vetëm të varfërit dhe të margjinalizuarit mbahen përgjegjës madje për vepra penale shumë të vogla”.

Presidenti Pendarovski theksoi hapat e guximshëm politikë të qeverisë aktuale, e cila, siç tha ai, mbylli mosmarrëveshjet politike me dimension historik me Bullgarinë dhe Greqinë, duke shtuar se kjo mundësoi hapjen e integrimeve euro-atlantike.

“Hyrja në NATO është një sukses historik për këtë gjeneratë politikanësh, por edhe për të gjithë ata që kanë punuar në mënyrë aktive për këtë kauzë që nga viti 1993, që nga Deklarata e parë e miratuar me asnjë votë kundër, pikërisht në këtë kuvend. Sipas të njëjtit model të bashkimit shtetëror, ne do të duhet të punojmë së bashku në bisedimet me BE-në”, tha Pendarovski.

Lidhur me çështjet rajonale, Pendarovski u ndal tek e ashtuquajtura iniciativa rajonale e “Mini-Shengen-it”, për të cilën tha se për të qenë efektive, kjo iniciativë duhet të përfshijë të gjitha gjashtë shtetet e rajonit.

“Në kontekst të nismës aktuale rajonale, dua veçanërisht të theksoj se ato në asnjë rast nuk duhet të kuptohen si një zëvendësim për integrimet evropiane, por vetëm si një instrument për integrimin tonë më të shpejtë në Evropë. Gjatë kësaj, i ashtuquajturi mini-Shengen që të jetë efikas, patjetër duhet t’i përfshijë të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm tre prej tyre”, tha Pendarovski.

Ai foli edhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve të Ballkanit, duke theksuar se kjo do të rikthejë rajonin në periudhën e tensioneve dhe konflikteve të mundshme. Pendarovski beson se bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit rajonal.

“Me gjithë respektin ndaj të gjithë atyre që kanë mendim ndryshe për bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës, këtë qëndrim e kam thënë dhe arsyetuar para të gjithë funksionarëve të huaj me të cilët jam takuar takuar deri më tani, ndërsa kuptohet këtë ia kam kumtuar edhe presidentit të Serbisë dhe presidentit e kryeministrit të Kosovës. Vendimi për statusin ndërkombëtar të Kosovës duhet të kontribuojë për ta përforcuar stabilitetin rajonal dhe sigurinë. Nuk mund të shoh logjikë të zgjidhni një problem ndërsa njëkohësisht të hapni disa të tjerë në rajonin e njëjtë”, tha Pendarovski.

“Qytetarët tanë po vdesin si pasojë e ndotjes së ajrit”

Në fjalimin e tij, presidenti theksoi rrezikun serioz nga ndotja e mjedisit, duke theksuar se “qytetarët tanë po vdesin si pasojë e ndotjes së ajrit”.

Ai propozoi që kjo çështje të hiqet nga politika ditore dhe të miratohet një strategji shtetërore mbipartiake për të zbutur efektet negative nga ky fenomen.

Përpos kësaj, presidenti u kërkoi partive politike të miratojnë një strategji mbipartiake edhe për zbutjen e pasojave nga shpërngulja e popullatës.

Presidenti theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që vendi të organizojë zgjedhjet e vitit të ardhshëm në mënyrë të drejtë dhe demokratike, të cilat janë paraparë të mbahen më 12 prill.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit