Senatori amerikan kërkon hetim lidhur me hakimin e telefonit të shefit të Amazonit

Mos i humb

Senatori amerikan Christopher Murphy kërkoi një hetim të thelluar të pretendimeve se princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka hakuar telefonin e shefit ekzekutiv të Amazonit dhe pronarit të gazetës Washington Post, Jeff Bezos.

Murphy, senatori demokrat nga Connecticut, i ka dërguar një letër zyrtare Drejtorisë së Inteligjencës Kombëtare (DNI) dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI), duke kërkuar një hetim.

Murphy ka theksuar se operacioni ndaj Bezon përbën shqetësim serioz.

“Krimet kibernetike të kryera nga zyrtarë të qeverisë saudite mund të kenë pasoja të rënda në marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite”, ka paralajmëruar Murphy.

Ai po ashtu ka deklaruar se vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi ka tronditur themelet e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Ky pretendim i ri sugjeron gjithashtu se vrasja e Khashoggit mund të jetë pjesë e një fushate më të madhe që Mbretëria e Arabisë Saudite e përdor për t’i frikësuar dhe heshtur disidentët”, ka thënë senatori amerikan.

Murphy ka kërkuar që në rast të hetimit, DNI dhe FBI të ndajnë gjetjet me Kongresin e SHBA-së.

Ndryshe, firma e sigurisë kibernetike FTI Consulting javën e kaluar njoftoi se një video MP4 kishte arritur në telefonin personal të Jeff Bezos nga llogaria në WhatsApp e princint saudit të kurorës më 1 maj 2018, me çka pas hapjes në telefon janë zbuluar aktivitete anormale dhe të jashtëzakonshme dhe rrjedhje e madhe e të dhënave në muajt në vijim.

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Agnes Callamard, si dhe Raportuesi Special i OKB-së për Lirinë e Shprehjes, David Kaye, kanë kërkuar hetim të menjëhershëm në lidhje me pretendimet.

Ndërkohë, duke folur për gazetën amerikane Wall Street Journal (WSJ), disa zyrtarë sauditë, emrat e të cilëve nuk janë publikuar, kanë thënë se ata ishin në dijeni të planeve për hakimin e telefonit të Bezos.

Zyrtarët kanë pohuar se operacioni i hakimit u organizua nga ish-këshilltari i princit të kurorës dhe ish-sekretari i Gjykatës Mbretërore, Saud al-Kahtani, dhe se plani ishte pjesë e fushatës më të gjerë kundër gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi.

Khashoggi, kontribues në gazetën Washington Post, u vra më 2 tetor 2018 në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Edhe pse gjykata në Arabinë Saudite dënoi me vdekje pesë të dyshuar dhe shqiptoi gjithsej 24 vjet dënim për tre persona, emrat e afërt me princin e kurorës Mohammed bin Salman janë lënë të lirë.

Në një raport prej 101 faqesh të publikuar në qershor të vitit të kaluar, Komisariati i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) kishte hedhur përgjegjësinë mbi Arabinë Saudite për “vrasje të qëllimshme dhe të paramenduar” të Jamal Khashoggit.

Raporti kishte theksur se ekzistojnë prova të besueshme për të hetuar zyrtarë të lartë sauditë, përfshirë edhe princin e kurorës Mohammed bin Salman.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit