Ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar të LDK-së pas vendimit të Kryesisë së kësaj partie për inicimin e mocionit të mosbesimit.
Para mediave ka folur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, teksa ka thënë se është përkrahur vendimi i Kryesisë për të dalur nga qeveria, shkruan lajmi.net.
Sipas tij, Kurti ka vepruar qëllimshëm me shkarkimin e Veliut.
“Grupi Parlamentar i LDK-së shqyrtoi kërkesën e Kryesisë për nisjen e procedurave për mocionin. Grupi Parlamentar e përkrah këtë kërkesë dhe fillon procedurat për mocionin. Ne vlerësojmë se Kurti përmes shkarkimit të Veliut qëllimshëm ka dhënë dorëheqje, pra është veprim i qëllimshëm i largimit nga përgjegjësitë. Kurti në mënyrë të njëanshme ka rrezikuar një pjesë të rëndësishme të funksionimit të institucioneve”, ka thënë ai.
Gashi ka bërë të ditur se përveç Vjosa Osmanit, edhe dy deputetë tjerë nuk e kanë përkrahur mocionin, por që nuk ka bërë të ditur emra.
Po ashtu, Gashi ka thënë se ditëve në vijim pritet të dihet edhe se kur do të mbahet seanca për mocionin.
“Seanca mbetet të vendoset në bashkëpunim me kryetarin e partisë, dhe sapo të mbledhen votat për shkarkimin e qeverisë Kurti. Kjo është një procedurë që do të merret edhe në koordinim me anëtarët që do të vendosin për votimin e mocionit”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme LDK ka siguruar nënshkrimet e Nismës dhe AAK-së për mocionin e mosbesimit.


