Një avion ushtarak turk me dërgesën e dytë me furnizime mjekësore ka ateruar sot në Somali për të mbështetur luftën e këtij vendi kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë thuhet se dërgesa e përgatitur me udhëzimet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka mbërritur në Somali.
Avioni i nisur mbrëmë nga aeroporti ushtarak Etimesgut, sot ka arritur në kryeqytetin Mogadishu.
Në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka ngarkuar barelë, shtretër dhe mjete tjera mjekësore në avionin ushtarak kargo A400M të Forcave të Armatosura Turke.
Mbi kutitë e ndihmës së dërguar krahas stemës së presidencës, flamujt e Turqisë dhe Somalisë ndodhen edhe mbishkrime në gjuhën turke dhe somaleze me fjalë nga poeti mistik dhe dijetari Mevlana, i njohur edhe si Rumi: “Pas dëshpërimit ka shumë shpresë. Pas errësirës ka shumë diell”.
Turqia edhe më parë ka dërguar ndihma mjekësore në Somali në kuadër të luftës kundër COVID-19.


