Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë caktuar për më 15 korrik, ndërsa kryeministri Spasovski në video-konferencën e sotme për media u shpreh se nëse respektohen masat, rreziku i të infektuarit me koronavirus nga votimi është më i vogël se nga shkuarja në dyqan.
Ai rikujtoi se nga sot fillon fushata parazgjedhore, duke shtuar se ky proces zgjedhor do të zhvillohet në kushte të pandemisë “që nuk mbahet mend në historinë më të re botërore”.
Spasovski tha se nevojitet funksionim i vazhdueshëm i të gjitha institucioneve të shtetit, me theks të veçantë në Kuvend dhe Qeveri funksionale, duke shtuar se “zgjedhjet janë zgjidhja që të dalim me sukses nga kjo krizë shëndetësore, sociale dhe ekonomike”.
“E drejta e qytetarëve për të shfrytëzuar votën e tyre, nuk do të rrezikojë shëndetin e tyre. Iu referohem epidemiologëve të cilët theksojnë se procesi i votimit nuk i ekpozon votuesit në rrezik, nëse i respektojnë masat. Në vendvotime ndalemi 3 deri në 5 minuta, që është më pak nga shkuarja jonë në dyqan apo në treg”, tha Spasovski.
Ai shtoi se është e rëndësishme që masat e kujdesit, respektivisht mbajtja e maskës dhe e distancës, të zbatohen si në ditën e zgjedhjeve, ashtu edhe gjatë fushatës parazgjedhore.
Spasovski gjithashtu tha se këto janë zgjedhjet e para që Maqedonia e Veriut i organizon si vend anëtar i NATO-s dhe që është në fazën e fundit para anëtarësimit në BE, andaj theksoi se kjo është një obligim dhe motiv shtesë për realizimin e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane.
Kujtojmë se më 16 qershor, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi një ditë më herët liderët e dy partive më të mëdha politike në vend, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, arritën marrëveshje që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 15 korrik.
Shkaku i pandemisë së COVID-19, në Maqedoninë e Veriut janë prolonguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara fillimisht për më 12 prill.


