Kaledonia e Re, ishull në pjesën juglindore të Oqeanit Paqësor, është në përgatitje për të organizuar referendumin e tretë të pavarësisë nga Franca, pasi dy të parët rezultuan me më shumë vota “kundër”, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupet e pro-pavarësisë dhe ata që refuzojnë ndarjen nga Franca në territorin autonom francez të Paqësorit, Kaledonia e Re, filluan fushatat e referendumit që do të mbahet më 12 dhjetor 2021. Vendi numëron rreth 180 mijë votues.
Fronti Nacionalçlirimtar Socialist Kanak (FLNKS) që mbron pavarësinë e vendit, fushatën “Pro” e filloi në kryeqytetin e vendit, Noumea.
Aloisio Sako, një nga liderët e FLNKS-së, duke rikujtuar se në dy referendumet e para është rritur numri i votave “pro”, tha se në referendumin e vitit të kaluar 25 mijë persona nuk kanë mundur të votojnë dhe se në muajin dhjetor është e mundur fitorja.
Grupet kundër pavarësisë fushatën e filluan në Bourali, provincë jugore e vendit.
Liderja e Partisë Republikane e Kaledonisë, Sonia Backes, pohoi se Kaledonia e Re nuk është e gatshme që të ndahet nga Franca, duke pretenduar se edhe në referendumin e fundit do të dalë jo.
– Dy referendumet e mëparshme rezultuan “kundër” pavarësisë
Vendi më 4 nëntor 2018 dhe 4 tetor 2020 mbajti dy referendume për të caktuar fatin e vendit, pro ose kundër pavarësisë.
Sipas të dhënave të publikuar nga Komunitetit të Rajoneve tejdetare të Francës, në referendumin e parë 56,7 për qind e popullatës votuan kundër pavarësisë, ndërsa në referendumin e dytë ky numër ishte 53 për qind.
– Kanakët, përbëjnë 41,2 për qind të popullsisë
Kaledonia e Re përfaqësohet me dy deputetë dhe dy senatorë në parlamentin francez dhe çdo vit merr 1,3 miliard euro mbështetje financiare nga Franca.
Kaledonia e Re në vitin 1853 është aneksuar nga Franca. Që nga kjo datë e deri në vitin 1946 ishte zonë koloniale. Ndërsa deri në vitin 2003 Kaledonia e Re ishte pjesë e Komunitetit të Rajoneve tejdetare të Francës. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2003, Kaledonia e Re u bë një rajon autonom pranë Francës.
Kaledonia e Re ka një sipërfaqe prej 18.576 kilometra katrorë dhe 275.000 banorë. Sipas censusit të vitit 2019 popullata vendase Kanakët, përbëjnë 41,2 për qind të popullsisë. Frëngjishtja është gjuha zyrtare në këtë vend, ndërsa kryeqyteti i saj është Noumea.


