Isak Mehmedaj, 24 vjeç, nga fshati Mushan i Shkodrës u plagos mëngjesin e sotëm me armë zjarri, teksa ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se Mehmedaj është kushëri i vëllezërve Mehmedaj, ku njëri prej tyre, konkretisht Hydajet Mehmedaj është i dyshuar për vrasjen e të ‘fortit’ të Shkodrës Ridvan Ramazani më 28 nëntor 2020.
Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Hydajet Mehmeti, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Ridvan Ramazanit.
Sipas policisë, Mehmedaj në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Ridvan Hyseni (Ramazani), 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat, Shkodër. Isak Mehmedaj, mori një plumb në krah nga persona të paidentifikuar mëngjesin e sotëm. 24-vjeçari aktualisht ndodhet në spitalin e Shkodër jashtë rrezikut për jetën, duke marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që pritet dëshmia e tij në orët në vijim.


