Gjykata e Krujës ka dhënë sot vendimin në lidhje me grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Nazmi Çangu dhe familjes së tij në Nikël, rreth 3 javë më parë.
Gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Sajmir Kuçit dhe mori parasysh kërkesën e prokurorit, duke i caktuar atij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ngjarja e rëndë që terrorizoi mbarë opinionin publik ndodhi më 24 tetor të këtij viti në Fushë-Krujë, ku biznesmeni u dhunua për disa orë dhe më pas në banesën e tij u morën sende me vlerë dhe shuma lekësh.
Për ngjarjen në fjalë, policia ka shpallur në kërkim disa persona të tjerë, mes tyre edhe personin e konsideruar si “truri i grabitjes”, Artan Prengën, një person me precedentë penalë në vjedhje, grabitje, plagosje e trafik droge.
Biznesmeni Çangu rrëfeu se vlera e sendeve të grabitura arrinte në afro 100 mijë Euro. Policia tha se veç Artan Prengës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe anëtarët e tjerë të bandës së grabitësve.


