Google po përmirëson Lens, aplikacionin e saj që kërkon informacione bazuar në objektin që identifikon përmes imazhit.
Prej ditës së sotme (e enjte), Lens mund të kërkojë për probleme të lëkurës nëse ju po përjetoni një të tillë. Duke ngarkuar një foto në të, Lens nis kërkimin për të gjetur imazhe që përputhen, përfshirë edhe për problematika që nuk dini si t’i përshkruani (fryrje në buzë, viza në thonj etj).
Ky aplikacion i cili funksionon me anë të inteligjencës artificiale mund të jetë i dobishëm për personat që nuk janë të sigurt nëse duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore apo të gjejnë zgjidhje alternative në shtëpi.
Lens integrohet me Bard, chatbot-in e Google i cili është rival i ChatGPT. Përditësimi i fundit vjen menjëherë pas atij të javës së kaluar ku Google prezantoi opsionin e ri që Bard të shkruajë, ekzekutojë dhe testojë kodin e tij pa cenuar eksperiencën e përdoruesit.
Kjo përmirëson aftësinë e tij për të programuar dhe zgjidhur probleme matematikore. Në muajin Maj, Google bashkëpunoi me Adobe për t’i ‘mësuar’ Bard gjenerimin e imazheve./


