Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi sot se ata persona që kanë spiunë të sigurimit të shtetit duhet t’I njohë publiku dhe këta persona nuk duhet të jenë më në Kuvend, në këshilla bashkiak, kryetar bashkish apo kryetarë të ndonjë partie politike.
Duke folur për mediet nga oborri i Parlamentit, ku po mbahet seance e radhës plenare, Balla theksoi se këta spiunë nuk duhen lejuar të riciklohen.
“Pyetja që shtrohet është, a është dakord opinioni publik shqiptar që persona që kanë qenë pjesë e organeve represive të diktaturës të vazhdojnë si zvarranik të riciklohen, madje dhe të arrijnë në majat më të larta të shtetit shqiptar?
Personi që ju thatë ka arritur të jetë president i Republikës. Në rast se personi në fjalë vërtetohet pas procesit të verifikimit, tashmë të qartësuar në aspektin ligjor, të ketë qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit”, tha Balla.
Balla shpjegoi edhe se pse Kuvendi ka marrë kaq shumë kohë diskutimi për drafin për politikanët e lidhur me ish-sigurimin e shtetit.
“Nuk donin ta bënim pjesë të debateve të procesit të zgjedhjeve vendore. Nuk duhej përdorur ky si një diskutim gjatë zgjedhjeve, për të lënë fokus çështjeve të tjera. Por edhe për të konsultuar të gjitha praktikat më të mira”, tha ai.
Balla theksoi se besonte se Kuvendi ka mazhorancë përtej 94 votave për të kaluar një paketë të tillë.
“Brenda Kuvendit ka mazhorancë përtej 84 vota për të kaluar një paketë të tillë. Ashtu siç kemi bërë me konsensus ligjin “Për dekriminalizmin, ka një konsensus, përtej 94 votave për të bërë çfarë duhet që këta persona që kanë spiunë, këta persona publiku t’i njohë, të paktën në Kuvend, në këshilla, drejtues të bashkive, apo kryetar partie politike nuk mund të jenë më.
Është një masë e përkohshme. Kjo i takon komisionit të ligjeve për të caktuar afatin, por ua kemi detyrim atyre që kanë vuajtur në kurriz tmerret e sigurimit të shtetit”, tha Balla.


